Telegrafi

“Terrorizmi nuk na mposht!”, liderët botërorë bashkohen në solidaritet me Spanjën

Mbarë bota është bashkuar me Spanjën në momentet e vështira që vendi po kalon pas sulmeve që tronditën Barcelonën e Cambrilsin.

Presidenti i Katalunjës, Carles Puigdemont, ka dënuar aktin terrorist të marrë përsipër nga Shteti Islamik.

Demokracia dhe vlerat e brendshme të vendit sipas tij, qëndrojnë gjithnjë mbi dhunën terroriste.

Në të njëjtat tone ka folur edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Terrorizmi mund të shkaktojë orë tmerrësisht të trishta mbi ne, ashtu siç ndodhi në Spanjë, por kurrë nuk mund të na mposhtë”, u shpreh Merkel ndërkohë që shprehu ngushëllimet e kombit gjerman ndaj atij spanjoll.

Edhe kandidati për kancelar Martin Schulz bëri thirrje që shoqëria t’i thotë njëzëri terrorizmit se nuk do të fitojë.

Si Schulz ashtu edhe Merkel kanë pezulluar aktivitetet e tyre elektorale si një shenjë solidariteti me Spanjën.

Ndërkohë në Francë, dritat e Kullës Eiffel u shuan në homazh të viktimave nga sulmi në Barcelonë.

Vendi është tronditur nga ngjarja, pasi 26 qytetarë francezë janë konfirmuar të plagosur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sulmin terrorist në Barcelonë.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti Donald Trump ka premtuar të bëjë gjithçka është e nevojshme për të ndihmuar, mesazh i rikonfirmuar nga zv/presidenti Mike Pence, i cili e konsideroi sulmin si kasaphanën më të fundit.

Kulla ikonë e World Trade Center në Nju Jork ndezi dritat për të shprehur solidaritetin me Spanjën.
/oranews.tv/