Site icon Telegrafi

Terrorizmi i ISIS-it nuk ka vend tek shqiptarët!

Organizata terroriste ISIS ka publikuar një tjetër video, përsëri të tmerrshme, ku flitet për Ballkanin dhe thuhet se ky gadishull duhet goditur.

ISIS në këtë dokumentar shqyrton sistemin politik që ka patur Shqipëria, atë të diktaturës së Enver Hoxhës, kur nuk lejohej praktikimi i fesë dhe kur shteti u shpall ateist.

Shpallja e Shqipërisë si shtet ateist, i vetmi vend i tillë në të gjithë rruzullin, u krye nga një sistem diktatorial, që nuk pyeste për të drejtat e njerëzve, duke nisur nga ata elementaret dhe se burgoste çdokënd që mendonte ndryshe.

Por, se të barazosh një sistem diktatorial që legjitimoi ateizmin me një shoqëri të tërë është tejet e gabuar.

Më tej, ISIS, organizata që ka kryer krime nga më të kobshmet dhe që pa frikë mund të cilësohet terroriste, pa asnjë lidhje morale me asnjë fe, thotë se mund të sulmojë mbarë Ballkanin.

Kjo organizatë është fuqizuar aq shumë, sa frika prej elementëve të saj nuk ka si të mos jetë e pranishme.

E sigurt është se ISIS nuk përfaqëson vlera morale të pastra, as njerëzore, pasi një organizatë që ka kryer krime, nuk ka sesi të përfaqësojë vlera, por vetëm antivlera.

Jo më kot ISIS është konsideruar nga Umberto Ecco si nazizmi i ri, pasi në rast të fuqizimit të saj, kemi thuajse të njëjtën situatë si në Luftën e Dytë Botërore, kur bota kërcënohej nga nazizmi i Adolf Hitlerit.

Ndaj, shtetet perëndimore dhe ato të lindjes, mes tyre SHBA-ja, por edhe Arabia Saudite, i kanë shpallur luftë ISIS-it, si luftë e përbashkët kundër së keqes, kundër terrorizmit.

Shqiptarët, të cilët në rajon janë më pro-evropianët dhe më pro-perëndimorët, do të duhej ta përbuznin terrorizmin e ISIS.

Kjo organizatë përfaqëson vetëm antivlera dhe krim dhe nuk shkon për shtat me vlerat njerëzore, që njeh bota e qytetëruar.

Me siguri që nuk ka shqiptarë që ta dojë dhunën, terrorin, krimin dhe gjithçka tjetër çka kemi parë se përfaqëson ISIS.

Andaj, terrorizmi i ISIS nuk ka sesi të ketë vend ndër shqiptarë!
 

Exit mobile version