Studentja Emira Selimi, e cila ka nisur iniciativën e hapjes së bibliotekës së parë shqipe në qytetin e Manastirit, thotë se është kërcënuar nga një maqedonas.
Në një intervistë për “Rreze dielli”, Emira thotë se është quajtur “terroriste” dhe se mesazhet e atij personi i ka dërguar në polici, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ai që ma ka dërguar këtë mesazh është maqedonas, studion gjuhën shqipe në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Kam kërkuar që emri i tij të mos publikohet pasi këtë çështje e kam dërguar në polici. Nuk do të dorëzohem aspak. Nëse dikush dëshiron të më nxisë të dorëzohem, iu them të mos e provojnë sepse do të dështojnë”, tha mes tjerash studentja Emira Selimi.
Ajo gjithashtu thekoi se nëse do të ketë kërcënime tjera, do të kërkojë ndihmë edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Emira tha se interesimi për të dhuruar libra është jashtëzakonisht i madh dhe se nuk e di numrin e saktë të tyre.
Ajo theksoi se biblioteka pritet të hapet në mesin e muajit mars./Telegrafi/