Telegrafi

Tërnava: Nuk kemi bërë sa duhet që t’i rehabilitojmë viktimat e dhunës seksuale, fajtorët të vihen para drejtësisë

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë, Myftiu Naim Tërnava në konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, e cila po mbahet në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka thënë se dhuna ndaj civilëve është e ndaluar me fëne islame dhe me fetë tjera.

Sipas tij me këtë sfidë po përballet edhe shoqëria në Kosovë.

“Një nga sfidat me të cilat po ballafaqohet shoqëria jonë është trajtimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale në vendin tonë. Dhuna ndaj civilëve në luftë është e ndaluar me fenë islame dhe me fetë tjera, por edhe me vetë kodin e luftës. Por jemi dëshmitar që dhunimet seksuale kanë qenë një ndër armët e luftës që janë përdorur për të dëmtuar palën tjetër. Këto veprime janë vepra të dënueshme nga Zoti, nga të dërguarit e tij, nga njerëzit fisnikë dhe të shoqërisë demokratike”, ka thënë ai, përcjellë Telegrafi.

Sipas tij feja ka rëndësi të madhe në trajtimin e dhunës seksuale.

“Lufta e fundit në Kosovë la prapa vetës një mori tmerresh e sekretesh që asnjëherë nuk u zbardhën. Duke filluar nga vrasjet, masakrat, e deri tek dhunimet. Roli i bashkësive fetare për shkak të natyrës së plagës është primar. Askush sikur feja nuk mund të trajtojë një plagë që ka për bazë moralin”, ka theksuar ai.

Tërnava ka thënë se është obligim i shoqërisë dhe institucioneve që të rehabilitojnë kategorinë e të dhunuarve.

“Të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve ku thuhet edhe në Kuran. Të nderuara nëna, vajza e motra, iu porosisë të dëgjoni se çfarë thotë Zoti për ju, e jo ata që iu dënojnë pa të drejt. Për shkak të mentalitetit në të cilin jetojmë, me këtë kategori ne nuk jemi marrë sa duhet. Kjo kategori duhet të trajtohet me përgjegjësi e prioritet, duke u nisur nga familja, rrethi e deri tek institucionet. ata nuk bartin asnjë gjynah për atë që iu ka ndodhur. Ata apo ato janë thjesht viktima, por dëmi është më i madh sepse dhunuesit kanë dashur edhe fyerjen morale e shpirtërore të tyre. E kemi obligim nga Zoti, obligim shtetërorë që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht, t’i integrojmë në shoqëri e institucione. Ato nuk e kanë zgjedhur këtë”, ka theksuar ai duke shtuar se nuk është hartuar ndonjë program për rehabilitimin e tyre.

“Nuk është bërë sa duhet në Kosovë për këto viktima. Shpreh gatishmërinë tonë që të falenderoj të gjitha organizatat që merren me të dhunuarat e luftës. Ato kanë bërë vepër të duhur. Po ashtu mbështesim edhe miratimin e ligjit për këtë kategori nga Kuvendi i Kosovës, veprim i duhur po i vonuar. Po ashtu falenderoj edhe shtetet mike që kanë bërë sa duhet për këto viktima. por apelojmë që sa më shpejt t’ i vënë para drejtësisë dhunuesit. Viktimat nuk duhet të paragjykohen”./Telegrafi/