Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka mbështetur të gjitha masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e coronavirusit.
Tërnava ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës me kujdes do të përcjellë situatën dhe me kohë do të marrë vendimet e duhura në institucionet tona fetare-arsimore.
Gjithashtu ai ka kërkuar nga imamët që ligjëratat e xhumasë të mbahen sa më shkurtë dhe t’i kushtohet vetëm masave të mbrojtjes nga kjo sfidë me të cilën po përballet njerëzimi, transmeton Telegrafi.
“Ka dashtë Zoti që deri më tash qytetarët tanë nuk janë prekur nga ky virus, por rreziku që edhe vendi ynë të preket nga ky virus, tashmë është real. Me këtë rast e gjej të udhës që të apelojmë te qytetarët tanë që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e panikut dhe të njëjtën kohë të bëjnë të gjitha përgatitjet për mbrojtje nga infektimi me këtë virus.
Njëkohësisht, mbështesim të gjitha masat e marra nga Qeveria e Kosovës për mbrojtjen nga Corona virusi. BIK-u me kujdes do ta përcjellë situatën dhe me kohë do të marrë vendimet e duhura në institucionet tona fetaro-arsimore. Kërkojmë nga imamët tanë që ligjërata e hytbes së xhumasë ta mbajnë sa më shkurtë (max. 10 min.) dhe t’i kushtohet vetëm masave të mbrojtjes nga kjo sfidë me të cilën po përballet njerëzimi. Zoti na ndihmoftë që këtë sfidë ta kalojmë sa më lehtë”, ka shkruar Tërnava në Facebook./Telegrafi/