Telegrafi

“Termokosi” heq dorë nga shkyçjet kolektive

Ngrohtorja e kryeqytetit “Termokos” aktualisht ka hequr dorë nga shkyçja kolektive e konsumatorëve, gjë e cila ishte aplikuar në ditët e fundit, edhe pas fillimit të ngrohjes me sistemin e kogjenerimit nga njësia e Termocentralit B1.

Vendimi për këtë është marrë nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Termokosit”, Arsim Janova, si edhe nga strukturat e tjera drejtuese të kësaj ndërmarrjeje.

Vetë Janova ka theksuar të mërkurën se në tërë hapësirën ku vepron rrjeti i ngrohtores nuk ka më familje të shkyçura nga rrjeti.

Sipas tij, e kanë bërë këtë me qëllim që të mos humbet avulli që vjen në ngrohtore si edhe që t’u jepet hapësirë të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë t’i kryejnë obligimet për shërbimet që po iu afrohen.

Vetëm dy ditë më parë Koha Ditore kishte raportuar për qindra familje të kryeqytetit të shkyçra nga rrjeti, 120 prej të cilave gjendeshin vetëm në kompleksin banesor “Te Qafa”, ku për shkak të një borxhi prej rreth 50 mijë eurosh, Ngrohtorja i kishte privuar ata nga ngrohja.

Përfaqësuesit e këtyre familjeve e kontestojnë borxhin, pasi që siç kanë thënë ata, asnjëherë nuk kanë pasur ngrohje të mjaftueshme prandaj edhe nuk e kanë paguar. /Koha Ditore/Telegrafi/