Pasi që mbi vendin tonë po mbretërojnë temperatura të ulëta, të cilat sipas parashikimeve meteorologjike do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, Termokos në koordinim me KEK-un ka vendosur që të vazhdojë furnizimin me ngrohje.
Termokos sqaron se vazhdimi i furnizimit me ngrohje është në harmoni të plotë me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
“Ndonëse ligjërisht sezoni ngrohës 2018/2019, në kushte normale klimatike do të duhej të përfundonte sot, vazhdimi i furnizimit me ngrohje është në harmoni të plotë me ligjet në fuqi dhe me rregulloret e ZRRE-së, sipas të cilave sezoni ngrohës mund të zgjatet në varësi të kushteve klimatike”, thuhet në njoftimin e Termokosit, përcjell Telegrafi.
Në fund, Termokos thotë se do të vazhdojë të përcjellë me kujdes lëvizjen e temperaturave dhe në varësi të tyre do të vazhdojë të furnizojë me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore gjithë konsumatorët për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. /Telegrafi/