Site icon Telegrafi

Termokos gati për të filluar ngrohjen më 15 tetor

Ngrohtorja e qytetit “Termokos”, ka bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë sezonin e ngrohjes ashtu siç është e paraparë, me 15 tetor.

Ky është lajmi që dhanë sot kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ushtruesi i kryeshefit ekzekutiv të “Termokos”-it, Arsim Fetahu.

“Mund të them se na pret një vit pa probleme me ngrohje dhe jemi të gatshëm për të gjitha skenarët. Kësaj radhe do të kemi edhe më shumë kapacitete dhe më shumë mundësi”, u shpreh Ahmeti.

Fetahu, tha se “Termokos” për këtë sezon dimërorë do të ketë mjaftueshëm kapacitete dhe mundësi që të ngrohë në mënyrën më të mirë qytetarët e Prishtinës, ata që janë të kyçur në rrjet.

“Jemi të gatshëm që të fillojë sezoni i ngrohjes me 15 tetor dhe nuk presim ndonjë problem të theksuar. Përkundrazi, presim që të kemi një sezon më të suksesshëm, pasi kyçja e Bllokut B2, jo vetëm që ka rritë kapacitetin prodhues, por edhe siguron një operim më të qëndrueshëm për ngrohje”, theksoi ai.

Fetahu por edhe Shpend Ahmeti bënë të ditur se këtë vit do të kyçet edhe blloku B2, por nuk do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes për lagjet e tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version