Site icon Telegrafi

Termokos fillon shpërndarjen e faturave bazuar në shpenzimet e ngrohjes

Termokos njofton të gjithë konsumatorët, në veçanti ata që kanë përfituar pajisjet e matjes për faturim sipas konsumit, se do të fillojë me shpërndarjen e faturave të para bazuar në shpenzimin e ngrohjes.

Në njoftimin e Termokosit bëhet e ditur se nga kjo fundjavë mbi 7.000 konsumatorë do të pranojnë faturat me përllogaritjen e bazuar në shpenzimet e ngrohjes gjatë këtij muaji për secilin subjekt banesor apo afarist.

“Nëpërmes softuerëve të instaluar dhe inspektimeve në terren, tek një pjesë e konsumatorëve tanë janë vërejtur ndërhyrje të paautorizuara në pajisjet e instaluara, ndërrim të radiatorëve, tentim për bllokim të valvolave etj, gjë që ka vështirësuar procesin e faturimit. Të gjitha këto ndërhyrje janë lokalizuar dhe do të vizitohen nga ekipet tona ditëve në vijim për të evituar çdo parregullsi në mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve si dhe për të siguruar një proces të rregullt dhe të saktë të faturimit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se procesi i faturimit sipas konsumit pavarësisht vështirësive, që mund ta shoqërojnë në këtë fillim do të jetë një proces i pandalshëm, që me kohë do të jetë i mundshëm për secilën familje që furnizohet me ngrohje nga NP “Termokos”.

“Secila faturë përmban sqarimet plotësuese, këshillat dhe udhëzimet për kursim të energjisë ngrohëse.

Këtej e tutje, faturat e gjithë konsumatorëve, që kanë përfituar pajisjet matëse do të varen nga shpenzimet e ngrohjes. Andaj, kurseni ngrohjen, që të keni fatura më të ulëta!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version