Site icon Telegrafi

Termocentrali i ri punëson mbi 20 mijë persona, ndërtimtaria sektori më i kërkuar

Rreth 20 mijë persona në mënyrë direkte dhe indirekte do të përfshihen në punë gjatë fazës së ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.
Këto janë parashikimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Sipas tyre projekti i Termocentralit përveç shumë përparësive të tjera, do te jetë një punëdhënës shumë i madhe në periudhën afatmesme. “Sipas, parashikimeve gjatë fazës së ndërtimit e cila do të zgjasë rreth 4 vjet, direkt dhe indirekt do të përfshihen rreth 20 mijë veta, të profileve të ndryshe. Punët të cilat do të jenë më të kërkuara përfshijnë aspektet e montimit të pajisjeve, ndërtimit, transportit si dhe shërbime të ndryshme këshillëdhënëse, juridiko-financiare e të tjera”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Në MZHE, thonë se kuadrot profesionale të cilat do të angazhohen në operim dhe mirëmbajtje do të jenë mjaft të nevojshme. Po ashtu në këtë ministri flasin edhe për mundësinë e përhershme të punësimit. “Gjatë operimit të termocentralit pritet të punësohen rreth 550 punëtorë të përhershëm, si dhe rreth 1500 te tjerë të nënkontraktuar për shërbime të ndryshme”, thonë në MZHE.

Sipas tyre i tërë procesi do të udhëhiqet nga investitori privat, kompania amerikane Contour Global dhe të gjitha ata që do të angazhohen do t’i nënshtrohen konkurseve. Por, ata që synojnë të vazhdojnë karrierën në këtë termocentral duhet të kenë kualifikime dhe licencimet e nevojshme. “Profesionet e kërkuara për kryerjen e punëve në TC “Kosova e Re”, individët apo kompanitë që do të duan të angazhohen duhet të përgatiten dhe të licencohen për shërbimet që i ofrojnë, pasi që konkurrimi do të jetë i hapur dhe konkurrues”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Në ministrin e Punës, që është pjesë e Komitetit Drejtues të Projektit Kosova e Re, thonë se ka profile të cilat do të mund të angazhoheshin gjatë fazës së ndërtimit por edhe më pas. “Sektori i ndërtimtarisë pritet se do të jetë më i kërkuara gjatë fazës së ndërtimit. Ne jemi pjesë përbërëse e komitetit dhe gjithsesi çdo kërkesë që na bëhet si për trajnime apo bashkëpunime të tjera si ministri do të jemi të gatshëm”, deklaruan në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Njohësit e sektorit të energjisë thonë se tashmë jemi vonë në përgatitjen e stafit për termocentralin e ri.

Lulzim Syla, pronar në kompaninë Elen, tha se duhet kohë dhe specializim adekuat për të rinjtë që do të punësohen në projektin Kosova e Re. “Tek faza e pare prapë rrezikojmë që si kompani vendore të marrim pjese vetëm si kompani ndërtimore si heqje dheu, beton e asfalt, Ndërsa, pjesa e dytë ka të bëjë me menaxhim ku personeli do të përbëhet nga inxhinier të makaronikes, energjetikës, elektro-teknikës, elektronikës automatikës, efiçiencës, makinerisë etj”, tha Syla.

Kosova, sipas tij, nuk po arrin të mbulojë kërkesat e tregut për disa profesione, pasi ka mungesë të theksuar të personave të kualifikuar. Një nga këto profesione është edhe sektori i inxhinierisë.

“Në asnjë raport as të qeverise tonë e as te institucioneve ndërkombëtarë që kanë participuar në mbështetje të projektit të Termocentralit te ri nuk kanë parapa në asnjë vend se ku do ta marrin stafin e kualifikuar me njohuri të veçanta”, tha Syla

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu përmendi disa nga sektorët që sipas tij do të jenë më të kërkuar gjatë punëve në projektin Kosova e RE.

“Ndërtimtaria , energjetika, transporti, përpilimi i metaleve , ambientalizmi e IT-ja do të jenë vetëm disa nga sektorët ku kërkesa do të jetë më e madhe”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, efekti i termocentralit do të jetë edhe më i madh atëherë kur në kuadër të tij do të kyçen kompanitë vendore.

Kosova ka kompani të fuqishme në sektorin e energjisë të cilat kanë arritur të finalizojë projekte milionëshe gjatë modernizimit të termocentraleve aktuale dhe mihjes së KEK-ut. Ato tashmë e kanë përvojën për të punuar me kompanitë të fuqishme ndërkombëtare në realizimin e projekteve të mëdha. /Telegrafi/

Exit mobile version