Telegrafi

Termocentrali, kritika për mungesë transparence

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e re” është vonuar shumë, dhe tani duke marrë parasysh edhe krizën ekonomike e financiare në botë, ka rrezik të mos ketë interesim të investitorëve për këtë projekt. Kështu thotë kryetarja e Komisionit parlamentar për ekonomi, tregti, energjetikë, transport dhe telekomunikacion, Myzejene Selmani. Ajo kritikon zyrtarët e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për mungesë transparence gjatë këtij procesi.

“Absolutisht çdo gjë rreth termocentralit Kosova e re ka qenë jotransparente. Të gjitha projektet me interes strategjik për Kosovën, qeveria i mban në mënyrë jotransparente pasi mendon se projektet janë të këtij koalicioni, ose kësaj qeverie. Nuk janë projektet të kësaj qeverie, por projektet janë për Kosovën. Dhe e gjithë elita politike kosovare duhet të mendojë që t’ua ndryshojmë jetën qytetarëve të Kosovës dhe jo projektet madhore të mbahen në mënyrë jotransparente. Asgjë nuk kam nga qeveria lidhur me këtë projekt”, tha Selmani.

Selmani thekson se nuk ka asnjë dokument as sa i përket pakos tenderuese nëse është përfshirë në të edhe termocentrali Kosova B apo jo.

“Do të ishte tmerri më i madh në rast se “Kosova B” do t’i jepet investitorit të “Kosovës së re”, ku do të ndërrojmë nga nja monopol shtetëror në një monopol privat që është në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës”, tha Selmani.

Edhe ish ministri i energjisë dhe minierave, Et’hem Ceku, shfaq frikën se në këtë projekt nuk do të shprehin interesin kompanitë që kanë përvojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe shfrytëzimin e linjitit dhe hapjen e minierave.

“Kam frikë se projekti “Kosova e re" do të stagnojë sërish, nuk do të ketë progres edhe nga kriza financiare globale. Problemi tjetër është dizajni i tenderit që e ka projektuar Komiteti drejtues e ka përgatitur ka krijuar shumë vështirësi”, tha Ceku.

Nga ana tjetër, eksperti i energjetikës, Gazmend Begolli, thotë se projekti është dashur të fillojë shumë më herët, pasi Kosova ka nevojë urgjente për kapacitete të reja. Sipas tij, qeveria duhet të jetë aksionare kryesore në këtë projekt.

Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së energjisë dhe minierave, të kontaktuar nga Radio Kosova, nuk kanë dashur të prononcohen rreth kësaj çështjeje. Ndryshe në konferencën e investitorëve për energjinë që është mbajtur në janar, kanë marrë pjesë rreth 30 kompani, por mbetet të shihet se sa prej tyre do të shprehin interes për këtë projekt. Projekti është paraparë të ndërtohet në dy faza, fillimisht 500 megavat me mundësi të ndërtimit edhe të 500 megavateve tjerë. Por ende ka paqartësi rreth kostos dhe pjesëmarrjes së qeverisë./rtklive/