Telegrafi

Termocentrali, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës – Kryeministrit Thaçi për projektin “Kosova C/e Re” është një vendim që i dëmton rëndë interesat ekonomike të së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës. Pjesa më e hidhur, më e dëmshme dhe me efekte tepër negative edhe në zhvillimet e ardhshme politike të Kosovës dhe popullit të saj është pjesa e shitjes së pasurive nëntokësore të Kosovës. Shitja po kryet nën maskën e dhënies me koncesion. Dhënia me koncesion e minierës një miliardë tonëshe të thëngjillit për 40 vjet dhe shfrytëzimi i saj me kapacitet 2000 MW nuk është asgjë tjetër veçse shitje, thuhet tutje ne komunikate. 

Sipas saj, pasuritë nëntokësore të një vendi janë pasuri kombëtare dhe ato nuk guxojnë t’iu shiten as pronarëve të huaj, as atyre vendorë. Ato duhet të mbeten pasuri kombëtare! Edhe shfrytëzimi i tyre duhet të bëhet me një politikë ekonomike racionale të bazuar në parimin e zhvillimit të qëndrueshëm që merr parasysh çështjet ekonomike, sociale, mjedisore dhe mosshterimin e mundësive për brezat e ardhshëm. Vendimi i djeshëm i qeverisë Thaçi është në kundërshtim të plotë me këtë parim dhe rrjedhimisht në kundërshtim të plotë me nevojat e zhvillimit të Kosovës.