Telegrafi

Tërmkolli kujton 23 marsin e vitit 1989, kur u suprimua Kushtetuta e Kosovës

Foto: Arkiv

Deputetja nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli, në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosovë, ka folur  për 23 marsin e vitit 1989 kur ndodhi suprimimi i kushtetutës së Kosovës, e ku ajo ishte anëtare e Kuvendit të Krahinës së atëhershme të Kosovë.

“Ka qenë një situatë e vështirë, një sistem krejtësisht tjetër e ndoshta tani për gjeneratat e reja është e pakuptueshme. Natyrisht që ka qenë një situatë në periudhën kur Millosheviqi ishte në kulmin e fuqisë së tij politike, e në atë periudhë në Kosovë po fillonte shpërbërja e Jugosllavisë”, tha tërmkolli.

Ajo për Klan Kosovën ka treguar për ditën e 23 marsit të 27 viteve më parë.

“Në atë periudhë kohore, më 23 mars 1989 Kosova ka qenë në gjendje të jashtëzakonshme, ka qenë i rrethuar me tanke, plot e përlot njerëz të sigurimit, një atmosferë shumë  e rëndë”.

Tërmkolli tregoi për statusin që Kosova dëshironte ta merrte në atë kohë.

“Natyrisht që autonomia nuk ishte ajo që Kosova do duhej ta kishte si statusin më të lartë, sepse statusi më i lartë do të ishte republika, por do ishte statusi më i lartë deri më atëherë”.

“Nuk ishte kërkesa e shqitparëve në atë kohë që të kemi vetëm autonominë, shqiptarët ishin populli i tretë për nga numri i banorëve, pas serbëve dhe kroatëve dhe një popull me një numër aq të madh të qytetarëve të ketë vetëm autonomi natyrisht që ishte pak, por edhe atë pak po e privonte Millosheviqi”.

Tani 27 vite pas kësaj dite Tërmkolli është shprehur se nuk do mund të ngriten paralele në mes të situatës së atëhershme dhe ngjarjeve të tanishme politike në vend.

“Çdo përpjekje që të tërhiqet paralale është e padrejtë, sot jemi në vitin 2016 kemi kaluar shumë procese, Kosova ka kaluar shumëm procese e shumë vuajtje, ne jemi këtu ku jemi, sot jemi shtet i pavarur. Kontrollat sot janë krejt një natyrë tjetër, mund të duket sikur është njësoj mirëpo nuk është asgjë si në atë kohë”

Tërmkolli që i përket partisë që qeverisë me Kosovën, pranon se vendi ndonëse ka pasur shumë procese të suksesshme tani ka shumë probleme.

“Nuk është se problemet filluan sot me këtë mandat, e as me mandatin e kaluar, por filloi një frymë pak më ndryshe se ajo që e kemi pasur ideal para luftës sepse atëherë e kemi pasur ideal që pas fitimit të lirisë të jemi një shtet shembull në botë, e leje më në Ballkan”, tha ajo.

Ajo në fund pati vërejtje për Radio Televizionin e Kosovës, që sipas saj sot 27 vite nga ajo ditë nuk pati interes që ta kujtojë atë ngjarje.

“Dua ta shpreh një vërejtje për televizionin publik duke qenë se është institucion publik e ka pasur obligim që së paku dy-tri fjalë t’i thotë për këtë ditë që nuk ka qenë edhe e lehtë”, tha Tërmkolli.