Delegatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, është shprehur e zhgënjyer pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku Isa Mustafa u rizgjedh kryetar i partisë.
Në një prononcim para gazetarëve, e ka quajtur Isa Mustafën ministër të Rrahman Morinës.
“Mund të them me keqardhje, sot ndodhi një veprim shumë i rëndë, që as në komunizëm nuk është vepruar kështu. Isa Mustafa është ministër i Rrahman Morinës, me këta njerëz Kosova nuk shkon përpara. Iu pamundësua kandidimi Fatmir Sejdiut dhe ndoshta edhe të tjerëve, është metodë që e kanë përdorur edhe më herët”, tha Tërmkolli para mediave, transmeton Telegrafi.
Tërmkolli tha se delegatët janë kushtëzuar me vende të punës dhe më gjera tjera.
Ndryshe, me votim të hapur nga delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor të LDK-së, është votuar Isa Mustafa për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka marrë shumicën e votave nga 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve.
Procesi i Kuvendit Zgjedhor u mbajt me dyer të mbyllura për publikun./Telegrafi/