Site icon Telegrafi

Terminologji ekonomike

Përkufizimi i saktë i nocioneve është gjysma e punës në të sqaruarit e një fenomeni apo dukurie. Duhet të bëhet më shumë që ligjet e sferës ekonomike dhe tatimore të jenë më të kuptueshme; me terminologji më precize dhe më standarde. Kjo arrihet me përdorimin e termave të qëlluara, standarde dhe të kuptueshme nga hartuesit e ligjeve, respektivisht përkthyesit dhe redaktorët nga gjuhët e huaja. Këtë herë do të ndalemi te dy terma që janë shumë të rëndësishme, janë kategori ekonomike që kanë implikime më të gjëra se sa një hamendje të momentit që gjithsesi e shkaktojnë. Fjala është për termat: “shoqëri tregtare” dhe “njësi e përhershme”.

Ndërmarrje apo shoqëri tregtare

Funksionimi i subjekteve ekonomike te ne është rregulluar me Ligjin për shoqëritë tregtare. Po çka janë shoqëritë tregtare sipas këtij ligji. Në nenin 2 jepet përkufizimi: “Shoqëri Tregtare e Kosovës” është term i përgjithshëm që do të thotë dhe përfshin çfarëdo lloji të shoqërisë tregtare të themeluar në Kosovë sipas këtij ligji, p.sh Ndërmarrjet individuale, shoqëritë kolektive, shoqëritë komandite, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëritë aksionare.

Duke analizuar definicionin dhe ligjin në përgjithësi vijmë në përfundim se nocioni “shoqëri tregtare” nuk është term adekuat. Nuk është adekuate as fjala “shoqëri” as fjala “tregtare”:

– Në termin “Shoqëri tregtare”, fjala “shoqëri” të jep të kuptosh se ligji rregullon vetëm funksionimin e shoqërive ndërsa në fakt ligji rregullon edhe funksionimin e “Ndërmarrjeve individuale”. Pra emërtimi i ligjit nuk është gjithëpërfshirës dhe shkakton huti. Ndërmarrjet individuale në Kosovë, janë gjysma ose edhe më shumë, nga numri i tërësishëm i ndërmarrjeve, prandaj është joproduktive dhe qasje eliminuese që mos të përfshihet kjo lloj ndërmarrjeje në emërtim të ligjit.

– Në titullin e ligjit, fjala “tregtare” të jep të kuptosh se ky ligj vlen vetëm për shoqëritë tregtare, për ndërmarrjet tregtare. Që në titull lexuesit menjëherë i shfaqet mëdyshja: meqë ky ligji rregullon funksionimin e shoqërive tregtare a thua cili ligj rregullon funksionimin e shoqërive jotregtare, si: ndërmarrjeve prodhuese, shërbyese, ndërtimore etj. Në fakt ky ligj rregullon funksionimin e të gjitha ndërmarrjeve, atyre: prodhuese, tregtare, shërbyese, ndërtimore, etj por me një pakujdesi dhe qasje jokreative janë përmbledh në një term, në një emërtim të ligjit, joadekuat.

Emërtimi më gjithëpërfshirës për këtë ligj, për të gjitha ndërmarrjet: sikur kur janë shoqëri sikur kur janë individuale; sikur kur janë tregtare, sikur kur janë prodhuese apo shërbyese; do të ishte “Ligji për ndërmarrjet”. Nuk është e qartë pse i iket kësaj fjale shqipe dhe kaq kuptimplote. Gjithmonë është përdorë dhe përdoret fjala: ndërmarrës ( si emër) dhe ndërmarrje (si veprim). Ja si përkufizohet fjala “ndërmarrje” në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe:

NDËRMARRJE f. sh. 1. Veprimi sipas kuptimeve të foljeve NDËRMARR, NDËRMERRET. 2. Njësia themelore e organizimit të prodhimit, të tregtisë, të transportit, të shërbimeve etj. ose disa njësi të tilla të bashkuara me drejtim të përbashkët. 3. Punë ose veprimtari e gjerë, që bëhet në një fushë. Ndërmarrje e madhe (e guximshme). Ndërmarrje pa shpresë. Ndërmarrja e tyre pati sukses.

Sa u tha më lartë, fjala “ndërmarrje” na del si fjala më e mirë dhe më e përshtatshme për të përmbledh të gjitha subjektet ekonomike. Përveç kësaj, termi “ndërmarrje” duhet të përdoret edhe që të kemi konsistencë në terminologji në të gjitha ligjet. Kështu, termi “ndërmarrje” përdoret në Ligjin për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe Ndërmarrjeve të Mesme, në Ligjin për ndërmarrjet publike dhe në Ligjin për prokurimin publik.

Përfaqësi e huaj apo njësi e përhershme

Kur kompanitë e jashtme hapin ndonjë njësi ekonomike në vendin tonë; kësaj njësie në legjislacionin tonë i thonë me tre emra. Në ndonjë ligj i thuhet “njësi e përhershme”, në ndonjë ligj “shoqëri e huaj tregtare”, në ndonjë ligj tjetër “njësi fikse” dhe në formularin për regjistrim “kompani e huaj”. Për ta kuptuar se është e njëjta gjë lexuesi do të humbë shumë nga koha e vet e çmuar dhe kurrë nuk mund të jetë krejt i sigurt se është fjala për të njëjtën gjë. Përdorimi i katër termeve për të njëjtën gjë u shkakton vështirësi investitorëve të jashtëm për regjistrim të njësive të tyre këtu, u shkakton vështirësi kontabilistëve që janë në mes të investitorëve të jashtëm dhe ATK-së, i shkakton vështirësi vet ATK-së dhe Zyrës për regjistrimin e bizneseve.

Kjo pjesë apo degë e një kompanie të jashtme në katër ligjet tona kryesore që rregullojnë funksionimin e tyre, paraqitet me emra të ndryshëm: në Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për ATK-në quhet “Njësi e përhershme”, në Ligjin për Shoqëritë Tregtare quhet “Shoqëri e huaj tregtare”, në ligjin për TVSH-në quhet “Njësi fikse” dhe në formularin A0, për regjistrim të bizneseve, Agjensioni i Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), flet për “Kompani të huaj”. Përveç kësaj me rastin e lëshimit të certifikatës të biznesit pas emrit shënon fjalën “degë”.

Përkufizimet e ndryshme në ligje të ndryshme janë:
Në Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, neni 2,
1.15. Njësia e përhershme – një vend të fiksuar të biznesit përmes të të cilit afarizmi i një personi jo-rezident tërësisht ose pjesërisht kryhet në Kosovë, ashtu siç është e përshkruar ne nenin 29 te këtij ligji.

Në Ligjin për ATK-në, neni 1,
1.20. Njësi e përhershme – ka të njëjtin kuptim sikurse termi i përkufizuar në Ligjin 03/L-162 mbi Tatimin në të Ardhurat e Korporatave.

Në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, neni 2,
“Shoqëria e Huaj Tregtare” është term i përgjithshëm i cili nënkupton një shoqëri
(i) që është themeluar dhe aktualisht ekziston sipas një ligji të një jurisdiksioni jashtë Kosovës, dhe
(ii) që është e autorizuar, sipas atij ligji, për t’u angazhuar në veprimtari tregtare në atë jurisdiksion.

Në Ligjin për TVSH-në, neni 2,
1.13. Me qëndrim në Kosovë – një person që ka një vend të biznesit ose një njësi fikse, ose në mungesë të këtij vendi të biznesit ose njësisë fikse, ka një vend ku ai e ka adresën e tij të përhershme ose ku zakonisht banon në Kosovë.

Aq shumë janë të ndryshme këto tri –katër termeve dhe aq i ndryshëm është përkufizimi i tyre në këto ligje sa edhe profesionisti më i mirë bie në dilemë athua a është fjala për të njëjtën gjë. Problemet e këtilla me terminologjinë në ligjet tona janë kaq të mëdha sepse hartuesit e ligjeve nuk janë përcaktuar për një terminologji burimore dhe të kuptueshme nga të gjithë; por bëjnë përkthime nga rasti në rast nga ligje të ndryshme të vendeve të ndryshme. Këto përkthime të drejtpërdrejta nuk i gjen në gjuhët e tjera evropiane e as të regjionit. Ne duhet të punojmë në standardizimin e terminologjisë. Standardizim është që njerëzit e një gjuhe të merren vesh se cilat terme do ti përdorin dhe për çka.

Në rastin konkret vështirë është të thuhet cila nga katër termet është më e përshtatshme. Hartuesit e ligjeve do të duhej të përcaktoheshin për njërën nga këto apo për një term të ri. Mendoj se termi më i përshtatshëm do të ishte “përfaqësi e huaj”. Kur kompanitë e jashtme duan të kryejnë ndonjë punë në Kosovë janë të obliguara ta hapin një degë të tyre që do të punonte për ta; zakonisht për kryerjen e ndonjë projekti të tyre. Kësaj zyrë apo punishte që do të përfaqësoj atë kompani të jashtme dhe ku ATK-ja mbledh tatimin nuk mund t’i thuhet assesi më mirë dhe më qartë sesa – përfaqësi. Në legjislacionin tonë tashmë përdoret termi – përfaqësues fiskal. Ky term përdoret kur kompanitë e jashtme në rastet e parapara me ligj në vend se të hapin përfaqësi caktojnë një person fizik si përfaqësues fiskal.

(Autori është auditor i licencuar)

Exit mobile version