Site icon Telegrafi

Tërmeti shkatërrues, një foshnjë e porsalindur nxirret nga rrënojat e shtëpisë në Siri, por vdes nëna e tij

Një moment tronditës është regjistruar nga kamerat ku thuhet se një grua siriane, e bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së saj të shembur, lindi një djalë dhe vdiq, raportojnë mediat siriane.

Pavarësisht kushteve të pafavorshme, mjekët në zonën e Jindires, në veri të Aleppos, arritën ta nxirrnin foshnjën nga nën rrënojat, por nuk mundën ta shpëtonin nënën e tij.

Tani fëmija ndodh të jetë i vetmi i mbijetuar në familje pasi të gjithë vëllezërit e motrat e tij humbën jetën në fatkeqësi, shkruan GulfNews, përcjell Telegrafi.

Lajmi për lindjen e foshnjës dhe vdekjen e nënës së tij u përhap shpejt dhe një video e një burri që mbante të porsalindurin e vogël larg nga rrënojat u bë virale në mediat sociale.

Qyteti i shkatërruar nga lufta në Siri, Aleppo, është ndër zonat që kanë bartur peshën kryesore të tërmetit, i cili gjithashtu shkatërroi pjesë të Turqisë jugore.

Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi të hënën në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km pranë qytetit turk të Gaziantep.

Si pasojë, deri në momentin e publikimit të lajmit, është raportuar për vdekjen e rreth 5,000 njerëzve, si dhe shkatërrimin e shumë ndërtesave. /Telegrafi/

Exit mobile version