Ekipet e shpëtimit në Turqi nxorën disa njerëz të gjallë nga ndërtesat e shembura gjatë ditës së kaluar, shtatë ditë pas tërmetit më shkatërrues të vendit në historinë moderne, por shpresat për shumë të mbijetuar të tjerë po shuhen dhe kritikat ndaj autoriteteve po shtohen.
Në Kahramanmaras të goditur rëndë, shpëtimtarët po përpiqeshin të arrinin deri te një gjyshe, nënë dhe vajzë, të gjitha nga një familje, të cilat dukej se i kishin mbijetuar një serie tërmetesh që ua morën jetën më shumë se 37 mijë njerëz në Turqi dhe Siri, transmeton Telegrafi.
Por të tjerët po përgatiteshin për një reduktim të pashmangshëm të operacioneve, pasi temperaturat e ulëta ulën shanset tashmë të pakta të mbijetesës, me disa shpëtimtarë polakë që njoftuan se do të largoheshin të mërkurën.
Në qytetin e shkatërruar sirian Alepo, shefi i ndihmës humanitare i OKB-së, Martin Griffiths, tha se faza e shpëtimit “po i afrohet fundit” dhe fokusi po zhvendosej te strehimi, ushqimi dhe arsimimi.
Presidenti sirian Bashar al-Assad ka rënë dakord të lejojë më shumë personel të OKB-së të hyjë në vendin e shkatërruar nga lufta, thanë diplomatët të hënën mbrëma.
Kishte ende fije shprese. Një djalë 13-vjeçar u nxor i gjallë, pasi kaloi 182 orë nën rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën jugore Hatay të Turqisë të hënën.
Gjithashtu, një vajzë e re me emrin Miray u gjet e gjallë në qytetin juglindor turk Adiyaman, thanë zyrtarët, ndërsa transmetuesi shtetëror TRT Haber, raportoi se një vajzë 10-vjeçare u shpëtua në Kahramanmaras.
Numri i të vdekurve në Turqi tani tejkalon shifrën 31,643 në tërmetin e vitit 1939, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, duke e bërë atë tërmetin më shkatërrues në historinë moderne të Turqisë.
Numri total i të vdekurve në Siri, një vend i shkatërruar nga më shumë se një dekadë luftë civile, ka arritur në 5,714, duke përfshirë të vdekurit në enklavat rebele dhe zonat e kontrolluara nga qeveria. /Telegrafi/