Site icon Telegrafi

Tërmeti në Turqi dhe Siri bashkoi botën, aeroplanët izraelitë dhe iranianë krah për krah në aeroportin e Gaziantepit

Tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë ka bashkuar botën në ofrimin e ndihmës për banorët që e pësuan. Ndihmë për Turqinë ofruan edhe ato shtete që nuk kanë edhe aq raporte të mira.

Në aeroportin e Gaziantepit është regjistruar një moment tejet i rrallë për të mos thënë i pabesueshëm, ku një aeroplan izraelit qëndron fare pranë i parkuar para atij iranian, transmeton Telegrafi.

Kujtojmë që Irani nuk e njeh Izraelin dhe marrëdhëniet e këtyre dy shteteve shpesh ngjallin frikën për një luftë të mundshme, por katastrofa natyrore në Turqi i detyroi këto shtete që për një moment ta kenë qëllimin e njëjtë – pra ta ndihmojnë Turqinë.

Ekipi i Izraelit, përbëhet nga vullnetarë nga organizata për intervenime të jashtëzakonshme United Hatzalah që udhëtoi për në Turqi me aeroplanin Sun D’Ora, kompani si motër e El Al që fluturon me flamurin izraelit.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se Teherani është i gatshëm të ofrojë “ndihmë të menjëhershme për këto dy kombe mike”, pa specifikuar shkallën e ndihmës.

Është interesant fakti se pranë këtyre dyve, u gjend edhe një aeroplan i tretë me ndihma që mbërriti nga Katari. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version