Një tërmet me magnitudë 4.7 ballë i shkallës të Rihterit ka goditur të dielën mbrëma Shqipërinë.
Epiqendra e tij ishte 10 km në thellë të Tiranës. Lëkundjet u ndjenë në disa qytete tjera duke përfshirë Durrësin dhe Lezhën.
Kjo ka shkaktuar panik te qytetarët të cilët kanë dalë jashtë nga shtëpitë e tyre.
Numër i madh i tyre janë parë te sheshi përpara Universitetit të Tiranës.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.
Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes tërmeti ka shkaktuar dëme të lehta më Xibër të Dibrës, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz.
Ndonëse më fillim u tha se tërmeti kishte magnitudë 5.2, ministri Niko Peleshi njoftoi se tërmeti që goditi Shqipërinë mbrëmë kishte mganitudë 4.7.
“Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe IGJEUM, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 Richter, me epiqendër 3 km në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos. Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha Bashkitë e vendit”, ka shkruar Peleshi.
Në Durrës raportohet se disa lagje kanë mbetur pa energji elektrike.
Ndërkohë në qytetet e tjera të vendit është raportuar se lëkundjet e tërmetit ishin të forta dhe kanë ngjallur panik tek qytetarët, me shumë prej tyre që kanë dalë jashtë shtëpive si në rastin e Tiranës dhe të bashkisë Bulqizë.
Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të plotë shërbimet e emergjencës dhe u bën thirrje qytetarëve që për çdo problematikë të sinjalizohet në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128. /Telegrafi/