Termeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka lënë pas dëmtime edhe në disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Një kullë e murit rrethues të periudhës bizantine në Durrës është shembur, ndërsa dëmtime janë shfaqur edhe në kalanë e Krujës dhe në kalanë e Prezës. Ekspertët po vlerësojnë ringritjen e kullës bizantine në Durrës e cila përmban edhe dëshmi historike të rëndësishme të tërmeteve të forta që kanë prekur më parë qytetin.
“Ekspertët e monumenteve po shohin në Durrës dëmtimet në murin rrethues ndërtuar nga perandori bizantin Anastasi I me origjinë nga Durrësi. Nga 500 metra, pjesë e këtij muri që kanë mbijetuar deri në ditët tona, nga tërmeti i fundit është dëmtuar Kulla C”, thotë Gjerak Karaiskaj, njohës i mirë i kalave dhe fortifikimeve në Shqipëri. “Fortifikimet e periudhës së Anastasit janë shumë të rëndësishme në Shqipëri. Është një kala e bërë me porosi direkt nga perandori, e një cilësie shumë të lartë dhe ato të mesjetës janë shumë më mbrapa sesa këto për nga cilësia e ndërtimit”.
Studiuesi mendon se pjesa e murit që është shembur i përket periudhës së pas tërmetit të vitit 1273, që ka shkatërruar gati plotësisht qytetin. Ky mur, që tashmë është shembur, nuk e ka gjerësinë e murit të ndërtuar nga perandori bizantin.
Drejtori i Kulturës Kombëtare në Durrës Alban Ramohitaj thotë se po katalogohen të gjitha dëmet dhe se po përgatiten projektet ndërhyrëse.
Dëmet nga tërmeti kanë prekur edhe godinën e Muzeut Arkeologjik në Durrës, por jo objektet e tij të ekspozuara në mjediset e brendshme. Përgjegjës i muzeut, Bledar Bica, thotë se situata e godinës do të certifikohet nga ekspertët.
Krahas Durrësit dëme nga tërmeti janë vërejtur edhe në kalanë e Prezës dhe kalanë e Krujës. Karaiskaj thotë se këto dëme janë të rikuperueshme ndërkohë që nevojitet mbështetja me investime për t`i mbrojtur monumentet nga rreziqet natyrore. /VoA/