Site icon Telegrafi

“Tërmeti” në Nju Jork!

S’ka kthim prapa. Pavarësinë tonë e kanë njohur deri më tani 65 shtete, priten njohjet e reja gjatë këtyre javëve, muajve. Me Serbinë mund të bisedojmë, jo për statusin, por për çështje teknike, çështjet që i preokupojnë shqiptarët dhe serbët, spikati në seancën e KS të OKB-së, me 22 janar, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni.

Paraqitja e zotëri Hysenit ishte dinjitoze. Rivalit të tij, Boris Tadiqit nuk i lejoi kënaqësinë, luksin, të luaj lojën si macja me miun. E nxori nga takti Tadiqin, ia bëri 8 me 2, ia mbylli gojën, të mos flet më dokrra. Ndodhi polemika e ashpër, polemika ‘inter partes’, e dy përfaqësuesve të shteteve, të Serbisë dhe Kosovës.

Kjo seancë, e cila zgjati 2 orë e dyzet minuta, kujtoj, i ngjante seancave në procesin gjyqësor të Hagës. Serbia edhe këtu u rrëfye si të jetë në kishë, jo në parlamentin e botës. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e shteteve që s’e kanë njohur pavarësinë tonë, Brazili, Meksika, Uganda, Nigeria, Libani… lanë të nënkuptohet se presin vendimin, mendimin e Gjyqit të Hagës për të ndërmarrë hapin e mëtejshëm.

Tadiqi e Hyseni pjesën hyrëse të fjalimeve ia kushtuan pasojave të tërmetit katastrofal në Haiti, ngushëlluan popullin e këtij vendi, por edhe OKB-në, personeli i së cilës e pësoi në këtë tragjedi. Kjo ishte ana njerëzore. Pastaj, Tadiqi e luajti lojën e vet, "hyri llugave".

Zotëri Hysenin e përshëndetën edhe ata, vendet e të cilëve nuk e kanë njohur pavarësinë tonë. Ia përmendën emrin e mbiemrin, jo funksionin. Disa i përmendën edhe funksionin sipas asaj: "ministri i jashtëm i Kosovës". Hysenin s’e përshëndeti Rusia. Përfaqësuesi i Austrisë, vendi i të cilit ka njohur pavarësinë tonë, e bëri një lapsus, "harroi" ta përshëndes Hysenin. Pse ?!

Ajo çka ndodhi në Nju Jork ishte një "tërmet" për Boris Tadiqin dhe ministrin e tij Vuk Jeremiqin. S’do ta harrojnë "uraganin", goditjet e fuqishme që ua shkaktoi ministri Hyseni. Do ta kujtojnë Hysenin, "njeriun e vogël", si Napoleon Bonaparte i Francës, i cili ua bëri "sytë xixa".

"Vjersha" e Tadiqit u përsërit. Mirë e kishte mësuar vjershën, Kosovën e quante "krahina jonë", "krahina serbe", por edhe "Kosovë e Metohi". Presidenti serb, i cili dukej i shqetësuar, nervoz, orvatej të bëj akrobacinë, kundërshtoi planin e Pieter Feithit, përfaqësuesit të Zyrës Ndërkombëtare Civile (ICO-së) dhe të Qeverisë sonë ‘për integrimin e veriut të Kosovës’. Këtë plan e cilësoi tejet të rrezikshëm për serbët matanë lumit Ibër. Ai shprehu aversion ndaj kësaj Zyre, e cila sipas tij na qenka e "ashtuquajtur", "Zyre ilegale".

Gazeta beogradase, Politika online, e 23 janarit, shkëput një vlerësim të Tadiqit se "… ‘zgjidhja definitive’ e Prishtinës për veriun e Kosovës nuk do të sjellë asgjë të mirë për ata që rrojnë atje. Kjo do t’i kënaq vetëm ekstremistët…". Kjo gazetë informatën e saj e titullon – Tadic: Plan za severno Kosovo opasna provokacija ( "Tadiq: Plani për veriun e Kosovës provokim i rrezikshëm").

Serbia, shkaktarja e katër luftërave, e përkëdhelur nga Evropa, i bie "flakaresh" BE-së, familjes elite. Evropa i bëri favore asaj, e futi në "zonën e Schengenit". Ndërkaq, ajo e shan BE-në, ku pretendon të anëtarësohet !

Një kapitull të posaçëm Tadiqi i kushtoi strukturave paralele që veprojnë matanë lumit Ibër. Sipas tij këto janë " legale", ndërsa "ilegale" i cilësoi të gjitha institucionet e Prishtinës zyrtare. Tërthorazi la të nënkuptoj se Beogradi haptazi i financon bandat e Milosheviqit, u jep atyre bakshishin prej 42 milion euro për ta minuar demokracinë në këtë pjesë të rajonit. Shprehu emocionin se si institucionet e Kosovës po e lënë "në terr" pjesën veriore të Mitrovicës, thuajse diplomatët nuk e dinë realitetin se këtu energjia elektrike vjen nga KEK-u.

Natyrisht, kjo që pohoi Tadiqi, s’ është ndonjë befasi. Ky është zhargoni i kundërshtarëve të pavarësisë, s’pritet nga ta diçka e meçme.

Tadiqi foli për "shuarjen" e gjyqeve të Kosovës, formimin e gjyqeve dhe prokurorive të veta, "gjyqit të lartë" dhe "gjykatës themelore", me seli në pjesën veriore të Mitrovicës dhe "filialat në Shtërpcë, Gorazhdec, Graçanicë dhe Ranillug. Regjimi i tij e bëri me bujë të madhe emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve në Kosovën, të cilët zyrtarisht "do t’ia nisin punës që nga 1 janari 2010". Nuk tregoi ai a funksionojnë "gjykatat e katundeve" në territorin e Kosovës. Sikur i ra pishmanit, nuk i shpjegoi hollësitë e këtij "emërimi…", s’e bëri këtë të mos bëhet përrallë para diplomatëve. Diplomatët e dinë se ç’ është sistemi unik i drejtësisë.

Kryesuesi i seancës, përfaqësuesi i Kinës, i zhveshur nga emocionet, iu përmbajt parimit audiatur et altera pars, nuk u hyri në hak palëve. I lejoi Tadiqit të flet dy herë, i lejoi edhe Hysenit të paraqet replikën, kundërvënien ndaj asaj që kishte pohuar rivali i tij. Replikën e tij ministri e nisi me fjalët "po i sqaroj disa gjera…". Kësaj radhe, nuk lexoi, i bëri të ditur audiencës provokimet e fundit të Serbisë. I përmendi një për një, me një anglishte të artikuluar.

Hyseni e tha troç se tash 10 vjet serbët matanë lumit Ibër, nuk e paguajnë energjinë elektrike. Kështu nuk ngjet në asnjë vend të botës, tha ai. Po ashtu, Hyseni iu kundërvë rivalit të tij, regjimit të Beogradit, rreth "emërimit të prokurorëve dhe gjykatësve" në shtetin e Kosovës. Një veprim i këtillë, tha Hyseni, është ndërhyrje e Serbisë në punët e brendshme. Përmendi skandalin e ministrit të Serbisë, Goran Bogdanoviqit, i cili hyri tinëza në shtetin tonë, vajti në Shtërpcë për të mbajtur fjalim politik, por këtë policia e përzuri. Ka ligje, rregulla, si hyn një ministër i huaj në një vend, kujt i kërkohet leja, kush vendos për të.

Vazhdon filarmonia e politikanëve dhe popave. Kreu i kishës serbe, pasardhësi i patriarkut Pavle, i porsazgjedhuri Irinej Gavrilovic, në fjalimin e tij, në ceremoninë përuruese, tha se "Kosova është Jerusalemi ynë" dhe se "Serbia pa Kosovën nuk është Serbi".Patriarku Irinej (Gavrilovic) le të bëj politikë, të sheh ëndrra. Kësaj pune i ka vdekur nëna, zotërinj të Beogradit.
 

Exit mobile version