Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit që goditi Shqipërinë gjatë ditës së djeshme, ka bërë që shumë familje të mbesin pa kulm mbi kokë.
Një solidarizim tepër i madh është shprehur dhe organizuar nga qytetarët e thjeshtë të Kosovës, e po ashtu edhe nga institucionet dhe bizneset e shumta, duke ofruar ndihma si hapësira për vendbanim, veshmbathje, gjëra ushqimore si dhe mjete financiare.
Deri më tani nga zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri, në Kosovë kanë ardhur mbi 200 persona.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
“Vetëm në hotelin “Ora”, janë vendosur 17 persona. Nga informacionet që kemi 200 persona kanë arritur nga Shqipëri në Kosovë. Shumë familje janë vendosur nëpër familjet që janë njohur nga koha e luftës edhe nga Durrësi edhe nga vendet tjera. Ka një solidarizim të paparë nga shqiptarët e Kosovës”, ka deklaruar ambasadori Minxhozi.
Ndryshe edhe sot është duke vazhduar grumbullimi i ndihmave nëpër komunat e Kosovës, të cilat pritet të nisen për në Shqipëri. /Telegrafi/