Të banosh në katin 12 nuk përjeton frikë nga tërmeti. Është diçka përtej frikës dhe ankthit. Mpirje. E megjithatë duhet të lëvizësh.
Nga këshillat e sizmologëve dhe veçanërisht të internetit, pozicioni më i sigurt për të kaluar goditjet vertikale dhe horizontale është tek dera ose poshtë tavolinës (nëse nuk e ke prej xhami). Dera është edhe kujtesë për t’ia mbathur një orë e më parë.
Me ngut kap çantën e vogël, pastaj një çantë të madhe. Të gjithë në nxitim e sipër duam të marrim nga një çante me vetë dhe të ndalojmë pak para pasqyrës para se të dalim.
Një kushëri 18-vjeçar që ishte për fundjavë kërkon me ngut celularin, karikuesin, furçën e dhëmbëve dhe atletet. Pastaj kthehet sërish se ka harruar diçka të rëndësishme në dhomë. Nuk kam fuqi për të ngritur zërin. Dëgjohet vetëm mërmërima ime: të lutem… mes ulërimave që jehonin nga katet e mëposhtme.
Komshiu një kat më poshtë tregon xhentilesën e tij krejt të pazakontë në ditë tërmeti dhe na fton në ashensor. “Ejani se ka vend edhe për ju”, tha. Vendi më i pakëshillueshëm për të lëvizur, sipas ekspertëve. Vijojmë zbritjen e shkallëve dhe për shkak se lëvizim me çanta, një pensioniste që ka dalë te dera thotë: “Sa mirë, po ikni! E paskeni shitur shtëpinë”?!
Përpara nesh kërcen i lumtur një djalë 10 vjeç: “Do Zoti është shembur shkolla”, thotë ai dhe nga lartësia me të cilin kërcen është krejt i bindur se të hënën e ka pushim.
Një biznesmen që ka në pronësi median dhe që ka në dorë vetëm kuletën dhe kapelën ka një dëshirë edhe më të madhe: i zhytur në kredi urimi i tij me gulçimeve është krejt i veçantë dhe nuk mund të jetë i vetmi në këtë qytet që ka këtë ëndërr: “O bobo… o Zot ishalla është shembur Banka”.
Shoh vëngër kushëririn që u vonua për të dalë dhe i them: po të mos ishe vonuar tani do të kishim dalë nga pallati!
Në katin e pestë ndeshemi me F-në. Ai është në prag të pensionit, por inatin më të madh e ka me artistët e Teatrit Kombëtar që nuk ju mbushet mendja se qeveria do ta prish teatrin për të mirën e tyre. F. më kap nga dora më sheh ngultas në bebe të syrit dhe me një zë përgjërues thotë: “Ti je gazetar, a ke dëgjuar gjë është i vërtetë është lajmi se është shembur ajo godina e vjetër e Teatrit”?
Duke menduar se më e keqja mund të ndodhte nga momenti në moment, por edhe për t’i shpëtuar darës së dorës së tij i thashë:
“Nuk ka më teatër”!
“Ah, më kënaqe tani nuk e kam më frikë tërmetin”, më tha, “po futem brenda se mos e japin lajmet. Do të qeras me një kafe për këtë lajm të mirë që më dhe”, dhe pushoi menjëherë kur dëgjoi zërin e plakës nga brenda: “Eja se po e jep televizori tërmetin”.
Në sheshin para pallatit duket se ka miting. Marr makinën për t’u larguar nga Tirana në drejtim të Durrësit. Por kthej mendje sapo shoh që epiqendra e tërmetit ishte në Durrës. Isha shumë kurioz për çfarë ishte kthyer kushëriri në dhomë…
Ai fut dorën në çantë sportive dhe pas pak më nxjerr “antidjersën” Nivea.
“E mora kot”, tha, “se paska mbaruar”!
Ndjej goditje në stomak dhe makina lëkundet lehtë. Edhe goma m’u desh tani. Ndaloj makinë dhe shoh që gomat ishin në rregull. Ishte goditja e dytë e tërmetit.
Shumë më e lehtë se goditja e parë, por jo më e lehtë se “goditja” që mora duke zbritur shkallët.