Telegrafi

Tërmet në Kosovë

(E plotësuar) Një termet i intensitetit të ulët është ndier sonte në orën 23:00 në Kosovë, epiqendra e të cilit ishte në Bosnje e Hercegovinë.

Bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të të dhënave të ngjarjes sizmike, Bosnja dhe Hercegovina është goditur me një tërmet me MAG. 5.9 sipas shkallës Rihter, i cili është ndier dukshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të fuqisë së lartë të tërmetit dhe veprimit e energjisë së liruar në një rreze deri në 400km, transmeton Telegrafi.

Në raportin e shpërndarë nga Ministria e Ekonomisë, më datë 22.04.2022 në ora 23:07 sipas kohës lokale, Bosnja dhe Hercegovina është goditur me një tërmet me magnitudë 5.9 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet VII ballë të Merkalit.


Harta me epiqendrën e tërmetit dhe vendet ku janë ndier lëkundjet e tokës

“Thellësia hipoqendrore ishte 10 km. Epiqendra e këtij tërmeti ishte me lokacion në koordinatat: Latituda 43.05 N. Longitude 18.21 E. Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës për shkak të fuqisë së lartë të tërmetit dhe veprimit e energjisë së liruar në një rreze deri në 400km”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/