Një tërmet i fuqishëm 3.2 në Korenë e Veriut ka ushqyer spekulimet se udhëheqësi suprem Kim Jong-un ka testuar një tjetër bombë nukleare.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, tërmeti shkaktoi një dridhje rreth 16 km në juglindje të Changjin County në provincën Hamgyong të Jugut, njoftoi shërbimi i motit të Koresë së Jugut.
Po sipas të njëjtit shërbim, dridhja goditi në një thellësi prej 6 km rreth orës 8:07 të orës lokale.
Koreja e Veriut ka shkaktuar tërmete në të kaluarën duke testuar armë bërthamore në fusha të ndryshme testimi, duke përfshirë edhe hapësirat e malit Punggye-ri.
Gjithsesi, tërmeti dukej i natyrshëm dhe nuk ishte i lidhur me veprimtarinë bërthamore, sipas shërbimit të motit.
“Tërmetet artificiale nga shpërthimet krijojnë valë zanore, por nuk u zbuluan dallime zanore këtë herë”, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Yonhap.
“Është gjithashtu larg zonës së provës bërthamore të Koresë së Veriut”, kanë shtuar ata.
Në shtator të vitit të kaluar Koreja e Veriut e habiti botën duke shpërthyer një bombë hidrogjeni në zonën bërthamore Punggye-ri.
Testi tronditës, më 3 shtator 2017, shkaktoi një tërmet me magnitudë 6.3 dhe disa tronditje më të vogla.
Që nga testi – i gjashti më i madhi i Koresë së Veriut – Pyongyang ka ndaluar hyrjen në vend për të parandaluar ndotjen radioaktive.
Një muaj më vonë, disa tunele të nëndheshme u shembën në vendin e testimit, duke vrarë rreth 100 punëtorë, njoftoi media japoneze. /Telegrafi/