Në prag të ndeshjes së fundit në grup kundër Shqipërisë, te kombëtarja rumune kanë plasur akuzat, ku pjesë kryesore e tyre është trajnerin Anghel Iordanescu.
Trajneri Anghel Iordanescu është në qendër të akuzave, për mënyrën si ka menaxhuar grupin e lojtarëve dhe për rezultatet e regjistruara në Euro 2016.
Është sulmuesi legjendar rumun, Ionel Ganea, që në 36 ndeshje ka realizuar 19 gola me përfaqësuesen rumune, i cili akuzon drejtuesin e stolit për paaftësi dhe një koncept futbolli të prapambetur.
“I dëgjova deklaratat e trajnerit, sipas të cilit futbollistët nuk janë të përgatitur për të luajtur në çdo tre ditë. Në këndvështrimin tim është diçka e pakonceptueshme. Nuk ka dyshime që në këtë pikë faji është vetëm i Iordanescut. Ai nuk ka qenë në futbollin aktiv për 10 vjet, nuk është i përditësuar me atë që ndodh në futbollin modern dhe pasojat po i paguan Kombëtarja rumune. Emërimi i tij në stol ishte gabimi më i madh i federatës”, ka deklaruar Ganea.
“Me Francën luajtëm mirë, por humbëm. Ndaj Zvicrës, skuadra luajti shumë në mbrojtje dhe pësoi një gol të ngjashëm si ndaj Francës. Në këtë mënyrë, Rumania humbi pikë të rëndësishme. Përveç trajnerit që ka mendësi të vjetër, prisja më shumë nga lojtarët kryesorë të ekipit, por të gjithë kërkojnë alibi të justifikojnë ecurinë e dobët. Me një trajner më të fortë do të merrnim më shumë pikë”, ka përfunduar legjenda rumune.
Ky termen akuzash duhet të shfrytëzohet nga kombëtarja shqiptare, duke fituar ndeshjen e fundit dhe duke shpresuar në një kualifikim të mundshëm. /Telegrafi/