Telegrafi

Tërmet 6.5 ballë në Indonezi, viktima dhe ndërtesa të shembura

Një tërmet i fortë 6.5 ballë i shkallës Rihter ka goditur brigjet perëndimore të ishullit indonezian Java, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe shembur disa ndërtesa e banesa.

Lajmi bëhet i ditur nga autoritetet indoneziane, të cilat saktësojnë se pas tërmetit është dhënë alarmi për tsunami.

Lëkundja është ndier deri në kryeqytetin Xhakarta dhe në disa qytete e fshatra të ishullit.

Njerëzit kanë dalë të terrorizuar me vrap nga shtëpitë dhe ndërtesat, duke shkaktuar panik në rrugë, ndërsa imazhet e transmetuara në televizor tregonin një trafik të rënduar të makinave në zonat bregdetare.

Zëdhënësi i agjencisë lokale për mbrojtjen civile, Sutopo Purwo Nugroho, ka folur për viktima, por pa dhënë detaje të tjera, duke shtuar se disa ndërtesa janë shembur në qytetin e Tasikmalaya në perëndim të Javas dhe në rajone të tjera të ishullit.