Një tërmet i shkallës 3.2 ballë Rihter ka goditur gjatë natës provincën e Romës në Itali.
Lëkundja e tërmetit u regjistrua rreth orës 00.52 minuta dhe është ndjerë në një rreze prej 25 km në rajonin e Lacios.
Instituti Italian i Gjeofizikës informon se lëkundja sizmike e kishte epiqendrën në komunat Gallicano e Colonna në një thellësi prej 10 km nën tokë.
Tërmeti është ndjerë fuqishëm nga banorët e zonave të Castelli Romani, Palestrina, Ostia e Casal Palocco, por dhe në lagjet romane të Montesacros, Eur, Tor Vergata, Borghesiana, Torre Maura, Palestrina, Talenti, Vermicino e në gjithë territorin lindor të kryeqytetit italian.
Lëkundja sizmike ka zgjatur rreth 10 sekonda e të shumta kanë qenë telefonatat në shërbimin e zjarrfikësve, nga qytetarët e preokupuar. Për momentin nuk regjistrohen dëme materiale e në persona. Alarmi është përcjellë gjatë natës dhe në rrjetet sociale.
Lëkundjet e tërmetit nuk janë ndalur gjatë natës së shkuar as në rajonin e Sicilisë. Lëkundje sizmike janë regjistrua gjatë natës në territorin përreth vullkanit Etna. Numri i banorëve të mbetur pa banesa ka shkuar në 784 e pak orë më parë qeveria italiane ka lëvruar një fond prej 10 milionë euro në ndihmë të popullsisë.
Janë përkatësisht 25 mijë euro që qeveria italiane ka parashikuar në ndihmë të çdo familje, banesa e së cilës është dëmtuar o shembur nga tërmeti 4.8 ballë i 26 dhjetorit.