Presidenti amerikan, Donald Trump e pranon se klima është duke ndryshuar, dhe se e gjithë ajo çfarë po ndodh me planetin sot nuk është një mashtrim, siç deklaronte kohë më parë.
Por ai i ka akuzuar shkencëtarët se kanë “një agjendë politike” kur vjen fjala tek ndryshimet e klimës dhe hedh dyshime mbi përgjegjësinë e njerëzve tek rritja e temperaturave.
Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë, të bëra gjatë një interviste për CBS, vijnë më pak se një javë pasi ekspertët e Klimës lëshuan paralajmërimin e tyre final mbi nevojën për të frenuar rritjen e temperaturave.
Shkencëtarët më në zë të globit janë pajtuar me idenë se ndryshimet janë shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, përcjell tch.
Përpara disa ditësh, raporti i panelit ndërkombëtar mbi ndryshimet e klimës IPCC i ra kambanave te alarmit me njoftimin se bota po shkon drejt një rritjeje të temperaturës mesatare në 3 gradë Celsius, dhe se veprimtaria e njerëzve, ka sjellë një ngrohje me pothuajse 1 gradë mbi nivelet industriale.
Trump ndërkohë ka mendimin e tij mbi situatën: “Nuk them që është mashtrim, por edhe nuk besoj qe të jetë bërë nga njerëzit. Ajo që mund të them me siguri është se nuk dua të jap triliona dollarë për këtë çështje dhe nuk dua të humbas miliona vende pune”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan shtoi se temperaturat mbase edhe rikthehen sërish në nivelet e tyre të mëparshme, por nuk e shpjegoi se si mund të ndodhë një gjë e tillë.