Të hënën pasdite, është tërhequr shorti për garën e Kupës së Kosovës në basketboll për të dy konkurrencat, ka njoftuar zyra për informim e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Te meshkujt janë katër grupe ku janë të përfshira 25 skuadra, ndërkohë te femrat janë dy grupe që përbëhen prej nëntë ekipeve.
Z Mobile Prishtina bën pjesë në Grupin A, në të cilin është bartëse. Pjesë e këtij grupi është edhe Trepça, Kerasan Prishtina, Vëllaznimi, Prishtina e Re, New Basket e Dukagjini.
Bartës i Grupit B është Rahoveci, pastaj vijnë Borea, Don Bosko, Drita, Istogu e Kaçaniku.
Grupi C përbëhet nga Ponte Prizreni, Bashkimi, Penza, Vushtrria, Llapi e Sfera, ndërsa pjesë e Grupit D janë Golden Eagle Ylli, Lipjani, Feronikeli, United Basket, Megasport dhe Fushë Kosova.
Në konkurrencën e femrave, në Grupin A bëjnë pjesë Bashkimi, Prishtina, Vushtrria, Drita e Trepça, kurse në Grupin B Penza, Vëllaznimi, Kastrioti e Sfera.
Fituesit e grupeve të meshkujve kualifikohen në gjysmëfinale të “Final-Four” të Kupës, kurse te femrat në finale.
Fitues në fuqi të kupës janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.