Telegrafi

Tërhiqet Ekrem Lluka pas kërcënimeve

Pronari i kompanisë "Dukagjini", Ekrem Lluka, ka hequr dorë nga Hotel "Onix" në Banjë të Pejës, tre muaj pasi që ishte shpallur fitues. Kjo për arsye të shantazheve dhe përplasjeve me konkurrentët e tij në garën për marrjen e këtij hoteli. Shantazhet i pati paraqitur vetë Lluka disa ditë më herët. Kërkesën e tij për tërheqje nga kjo pasuri e kanë bërë të ditur burime të gazetës Express, brenda Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Biznesmeni Ekrem Lluka ka kërkuar të tërhiqet nga pronësia e këtij hoteli, pas disa problemeve që ka pasur me disa persona”, tha një burim i Expressit.

Lluka pati paguar këstin e parë për këtë hotel, ndërsa pjesën e dytë të parave nuk ka dashur ta paguaj për shkak të paraqitjes së këtyre problemeve. Po këto burime tregojnë se Lluka nuk ka ndërmend që t’iu futet problemeve për këtë hotel dhe përfundimisht po heq dorë. Gjithashtu, Prokuroria Komunale ka marrë në pyetje disa persona dhe disa të tjerë janë në paraburgim për këtë çështje.

Ekrem Lluka ishte shpallur pronar i kësaj pasurie, ndër më të mëdhatë në Kosovë, në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar. Kjo pasuri i ka kushtuar bosit të Dukagjinit mbi 8 milionë euro. Blerja ka shkuar përmes procesit të privatizimit. Saktësisht në Valën e 40 të privatizimit, të shpallur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Dukagjini kishte dhënë shumën më të madhe të parave dhe ofertën më të mirë për ringjalljen e kësaj ndërmarrjeje.

Drejtuesit e AKP-së deklarojnë se këtë punë do ta rregullojë Bordi i drejtorëve të kësaj agjencie.

Shkëlzen Lluka, drejtor aktual në AKP, tha se Bordi do të mbajë së shpejti një mbledhje në të cilën edhe do të vendosë se a do të kualifikohet ofertuesi i dytë, apo të shkojë në ritenderim.

“Për këtë punë, duhet të marrë vendim vetëm Bordi i AKP-së, i cili do të mblidhet së shpejti apo brenda këtij muaji”, tha Lluka. Ai tregoi se do të merren parasysh të gjitha argumentet dhe shantazhet, e pastaj të shikohet se çfarë vendimi do të merret.

Rregullat e tenderimit në AKP janë që nëse tërhiqet ofertuesi i parë, pastaj kualifikohet i dyti, duke u bërë kështu automatikisht pronar. Por, drejtori Lluka beson se rasti i Hotel Onixit do të trajtohet në mënyrë të veçantë.

Hoteli Onix, në Banjë të Pejës, ka një sipërfaqe prej më shumë se 26 hektarësh tokë dhe rreth 38 mijë metra katrorë sipërfaqe të ndërtesave. Ndërmarrja posedon burim të ujit tokësor të ngrohtë. Dhe ajo më kryesorja – ka fuqi shëruese dhe është i vetmi në Kosovë dhe një nga të paktat pasuri natyrore të tilla në tërë regjionin.

Depozita fillestare e ofertës për blerjen e kësaj ndërmarrjeje ka qenë rreth 500 mijë euro. Ndërmarrja e re Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe Sh.P.K, është shitur përmes Spin-offit të thjeshtë, por me disa kushte të veçanta. Kompania Dukagjini kishte aplikuar në konzorcium me sllovenët dhe kushtet e plotësuara si kompani hoteliere.