Është anuluar ndeshja mes Barcelonës dhe Romës e programuar të zhvillohet më 6 gusht për nder të trofeut Gamper.
Dy klubet kishin rënë dakord javë më parë që të luanin dy ndeshje, një të ekipit a në konkurrencën e meshkujve dhe tjetra në konkurrencën e femrave.
Gjithsesi ka qenë vet klubi italian që ka hequr dorë nga udhëtimi në Kataluni për tu përballur me Barcelonën në Camp Nou.
Klubi italian ka vendosur të ndryshojë programin e sfidave verore, duke preferuar shmangien e një përplasjeje të rëndësishme siç do të ishte përballë Barcelonës.
“AS Roma njofton se ka tërhequr pjesëmarrjen në Trofeun Gamper, i planifikuar në Barcelonë më 6 gusht 2022. Vendimi rrjedh nga nevoja për ndryshimin e planifikimit të miqësoreve verore, për të krijuar kushte sa më të mira pune, në funksion të sezonit të ardhshëm, për ekipin e parë të klubit për meshkuj dhe femra”.
“Të dyja skuadrat do të vazhdojnë rrugën e tyre përgatitore përmes angazhimeve të tjera, më pak ndikuese përsa i përket udhëtimit, të cilat do të komunikohen sapo të përcaktohen. Falënderojmë FC Barcelonën për ftesën, të cilës klubi i uron vazhdim të mbarë të përgatitjeve verore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Romës.
Nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur përgjigja e Barcelonës të cilët janë të revoltuar me gjestin e klubit italian.
Katalunasit kanë bërë të ditur se ka qenë Roma që është larguar nga kjo ngjarje derisa departamenti ligjor i klubit po studion veprimet që duhet ndërmarrë ndaj Romës.
AS Roma unilaterally rescinds contract to play in Gamper
🔗 https://t.co/lYsVEETF8Y pic.twitter.com/fkuTure4Nw
— FC Barcelona (@FCBarcelona) June 27, 2022
“Barcelona njofton se Roma ka vendosur që në mënyrë të njëanshme, pa arsye, të tërhiqet nga kontrata e rënë dakord nga të dyja palët për ndeshjen e Trofeut Joan Gamper, e parashikuar për t’u luajtur më 6 gusht, në “Camp Nou” (do të kishte një përballje të dyfishte Barcelona-Roma, për femra dhe meshkuj)”.
“Klubi po punon për gjetjen e kundërshtarëve të rinj për edicionin e këtij viti. Në 24 orët e ardhshme do të fillojë kthimi i parave tashmë të shpenzuara për biletat. Klubi i Barcelonës dëshiron ta bëjë të qartë se anulimi i ndeshjeve ka ardhur për shkak të rrethanave jashtë kontrollit të Barcelonës”.
“Departamenti Ligjor i Klubit po studion veprimet e mundshme ndaj klubit italian për dëmet e shkaktuara ndaj Barcelonës dhe tifozëve të saj për shkak të këtij vendimi të papritur dhe të pajustifikuar”, thuhet në njoftimin e Barcelonës. /Telegrafi/