Përdorimi i barnave ekzistuese përpara trajtimit standard për kancerin e qafës së mitrës, mund ta zvogëlojë rrezikun e përsëritjes së sëmundjes ose vdekjes me rreth një të tretën – ka treguar një studim i ri.
Hulumtuesit vlerësuan nëse një kurs i shkurtër i kimioterapisë induktive (IC), duke përdorur barna të lira – tashmë të miratuara për të vrarë sa më shumë qeliza kanceroze – mund ta zvogëlojë shkallën e përsëritjes së sëmundjes dhe vdekjes, nëse jepet përpara kimioradioterapisë (CRT), një kombinim i kimioterapisë dhe radioterapisë. Cancer Research UK thotë se rezultatet janë “të jashtëzakonshme” – shkruan The Guardian.
Testi zbuloi se pas pesë vjetësh, 80 për qind e atyre që morën IC plus CRT ishin gjallë dhe 73 për qind e të trajtuarve nuk kishin pasur kancer të rikthyer ose të përhapur.
Në mesin e atyre që sapo kishin marrë trajtim standard, 72 përqind ishin gjallë dhe 64 për qind nuk e patën rikthim të kancerit ose përhapje.
CRT është një trajtim standard që nga viti 1999. Pavarësisht përmirësimeve në teknikat e terapisë me rrezatim, kanceri kthehet deri në 30 për qind të rasteve. Sipas Cancer Research UK, që e financoi studimin, shkalla e mbijetesës pesëvjeçare për kancerin e qafës së mitrës është rreth 70 për qind. /Telegrafi/