Është fundi i majit dhe moti me shi në Kosovë nuk është fort i dëshirueshëm në këtë kohë. Mbase s’e duan kësisoj as banorët në lindje të vendit, në cepin e së cilës gjendet Kamenica. Megjithatë, moti me shi lidhet natyrshëm me legjendën që bartet që prej 2-3 shekujsh.
Në fshatin Topanicë është një Teqe, që s’ka ndjekës. Ka varret e tre shehlerëve, dhe aty përfundon gjithçka. I pari i saj është Sheh Zeneli, të cilin, sipas legjendës, vendasit s’e kishin dashur fare kur kishte ardhur për herë të parë në këtë fshat, shkruan sot “Koha Ditore”. Madje, e kishin përzënë. Ai ishte lutur që shiu ta shembte fshatin dhe ashtu kishte ndodhur. Banorët e kishin lutur që ai të kthehej dhe “ta ndalte shiun”.
Këtë legjendë e tregon edhe Hamdi Morina, tash 65-vjeçar, kujdestar vullnetar i Teqesë. Tregon edhe një tjetër “të bëmë të të parit të tyre” e lidhur me një ushtar në Jemen. Thotë se ashtu e tregonin pleqtë këtë histori kur “tërplota u bë shpat”.
Data e saktë e ndërtimit të Teqesë, e bashkë me të edhe fillet e rendit halveti në Topanicë të Kamenicës nuk dihen. Shteti e mbron me ligj si monument i ndërtuar në shekullin XVIII.