Site icon Telegrafi

Tentuan të korruptonin policët rrugorë, pranga dy shoferëve në Tiranë

Dy drejtues mjetesh ranë në pranga në Tiranë, pasi për t’i shpëtuar masës administrative, tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.

Në rrugën “Ndre Mjeda”, policët kanë ndaluar drejtuesin e mjetit me iniciale F. M., 58 vjeç, i cili po drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurisë dhe gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizimit, ai i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh.

Gjithashtu, në rrugën “Konferenca e Pezës” është ndaluar drejtuesi i mjetit me iniciale Xh. T., 21 vjeç, i cili i ka ofruar agjenti verifikues të qarkullimit një shumë lekësh, me qëllim mosvijimin e procedurave administrative ndaj tij.

“Në të dy rastet, efektivët e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin e dy drejtuesve të mjeteve në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe janë bërë procedurat administrative për kundërvajtjet e konstatuara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. /Telegrafi/

Exit mobile version