Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët në Belgjikë kanë ekstraduar në Shqipëri shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Diego Haxhiraj alias Teki Hanaj, 39 vjeç.
Këtij shtetasi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Mbrëmjen e datës 02.09.2022, në qytetin e Vlorës, dyshohet se shtetasi Diego Haxhiraj alias Teki Hanaj në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të 2 punonjësve të Policisë.
Autorët u larguan nga vendngjarja, me një automjet, i cili u gjet dhe u sekuestrua nga Policia./Euronews Albania/