Gjatë seancës gjyqësore kundër zyrtares policore Kim Potter në Minnesota të SHBA-ve, janë shfaqur pamjet që tregojnë momentin kur ajo fillon të bërtet: “Oh zot, e qëllova”, pasi kishte drejtuar armën e zjarrit Daunte Wright që tentoi të arratiset – duke menduar se kishte nxjerrë revolen elektrike.
Gjykatësit urdhëruan publikimin e pamjeve të incidentit që rezultoi me fatalitet gjatë 11 prillit, ku shihet Wright i cili tenton të largohet derisa po prangosej dhe në atë moment shtihet me armë, transmeton Telegrafi.
Të njëjtën kohë policja dëgjohet duke bërtitur: “sapo e qëllova, mora armën e gabuar dhe kam qëlluar mbi të”. 49-vjeçarja gjatë procesit gjyqësor tha se ka qëlluar “aksidentalisht” 20-vjeçarin, duke menduar se kishte nxjerrë revolen elektrike.
Ajo madje është arsyetuar duke thënë se i dyshuari kishte tentuar të ikë nga vendi i ngjarjes. Por ishte kolegu i saj me të cilin ishte në vendin e ngjarjes që dëshmoi kundër saj.
Ai tha se Potter kishte bërtitur “elektroshok” që edhe parashihet me manual dhe mësojnë gjatë trajnimit, me qëllim që t’i jepet mjaftueshëm kohë kolegut që të largohet dhe të mos goditet nga elektroshoku.
Përkundrazi ajo nxori armën e zjarrit dhe për një moment ai dëgjoi zhurmën e shkrepjes së plumbit dhe tymi që doli nga tyta e revoles. /Telegrafi/