Site icon Telegrafi

Tentoi ta djeg objektin e policisë në Gjakovë me shishe molotovi, kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar publikun se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin me inicialet T.K., në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 gusht 2024, rreth orës 17:45, para objektit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, i dyshuari T.K. ka tentuar me dashje të shkatërrojë objektin dhe automjetet zyrtare të policisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri, i pajisur me katër shishe të mbushura me benzinë dhe vaj të djegur, i ka hedhur ato në drejtim të objektit të cilat përfundojnë në dy automjete zyrtare të policisë ku të njëjtat i kaplon zjarri.

Fatmirësisht, zyrtarët policorë kanë reaguar me shpejtësi, duke shuar zjarrin dhe arrestuar të dyshuarin, i cili po largohej nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria njofton se, bazuar në veprimet e kryera, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 356, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version