Telegrafi

Kërcënimi për atentat ndaj zyrtarëve të LDK-së, përmendet edhe emri i Krasniqit dhe Musliut – thonë se s’ndihen të frikësuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu, kanë konfirmuar të enjten se janë njoftuar nga policia se emrat e tyre janë përmendur në të njëjtin rast me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tentim për atentat.

Krasniqi në një deklarim para mediave, ka thënë se nuk ndihet i frikësuar, duke shtuar se beson në institucionet e sigurisë në Kosovë.

Lexo po ashtu Kërcënimi ndaj zyrtarëve të LDK-së, Abdixhiku: Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar

“Jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin që tashmë është bërë publik për deputetët e LDK-së se ka qenë i përfshirë edhe emri im dhe i deputetes Ganimete Musliu. Na kanë njoftuar për masat që janë duke i ndërmarrë për këtë çështje dhe do të jemi në komunikim, të mëtejmë. Nuk ka nevojë për t’u frikësuar. Jemi në vendin tonë. Kemi institucionet tona të sigurisë”, është shprehur lideri i PDK-së.

Se nuk ndihet e frikësuar ka thënë edhe deputetja Musliu, duke theksuar se është e gatshme për të bashkuar me organet e rendit për çfarëdo informacioni që ata kërkojnë lidhur me këtë rast.

“Nuk ndjehem e frikësuar. Kam besim të plotë në organet e rendit të vendit tim. Do të jem e gatshme për bashkëpunim për çdo informacion që ata kërkojnë nga ana ime si deputete”, ka deklaruar deputetja.

Ndryshe, të mërkurën mbrëma u raportua për kërcënim ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, tha se atentati ishte planifikuar për arsye politike dhe se në plan për atentat janë të përfshira dy organizata.

“Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosova, derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër të financojë ekzekutimin e këtij plani”, deklaroi tutje Shala. /Telegrafi/