Prokuroria po procedon penalisht një 24-vjeçar të dyshuar për tentativë vrasje të ndodhur dy ditë më parë, më 13 shtator.
Sipas informacioneve të Prokurorisë, i dyshuari është pajtuar me viktimën që të takohen në parkingun afër Monumentit të Lirisë në Koçan për të negociuar shitjen e një telefoni celular.
Kur janë takuar, thotë Prokuroria, 24-vjeçari ka hyrë në automjetin e të sulmuarit, është ulur në sediljen e pasagjerit dhe ka nisur të flasë me të dhe të shikojë celularin.
“Pas një kohe të shkurtër ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka goditur me thikë në një pjesë vitale të trupit në pjesën e kokës dhe qafës nën mjekër, duke i shkaktuar një plagë të hapur rreth 2-3 cm. Thika është thyer dhe i dyshuari ka vazhduar ta godasë viktimën edhe disa herë me dorezë. I sulmuari e ka kapur për dorë dhe e ka ndaluar, pas së cilës i dyshuari ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, thotë për rastin Prokuroria.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së ndikimit te dëshmitarët dhe pengimit të procedurës penale, por edhe kërcënimit real për përsëritjen apo përfundimin e tentativës së veprës penale, prokurori publik i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Koçani për caktimin e masës së paraburgimit .
Gjykata e pranoi propozimin në themel dhe i caktoi të dyshuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.