Telegrafi

Tensionohet protesta në Tiranë, qytetarët përleshen me policinë, tentojnë të çajnë kordonin

Djegia e gomave dhe ndërhyrja e policisë për të shuar flakët ka tensionuar protestën e opozitës para Parlamentit.

Protestuesit përveçse kanë gjuajtur me vezë e fruta të ndryshme, i janë bindur thirrjes së Sekretarit Organizativ të PD, Klevis Balliu duke mësyrë drejt kordonit të policisë.

Ata kanë tentuar të shtyjnë forcat e rendit për të çarë kordonin e ngritur në hyrje të Parlamentit, me qëllimin për të hyrë brenda oborrit të këtij institucioni.

Lexo po ashtu Përshkallëzohet protesta para Kuvendit të Shqipërisë, opozita e rrethon me goma dhe u vë zjarrin

Ndërkohë policia ka marrë masa shtesë pas këtij momenti, duke stacionuar pranë kordonit makinën që shpërndan turmat duk hedhur ujë me presion.

Efektivëve u është dhënë ndërkohë urdhër që asnjë protestues të mos e kalojë gardhin në hyrje të Parlamentit, ndaj përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës nuk përjashtohet për t’i shpërndarë ata.

Policia ka përdorur edhe megafonin për t’u bërë thirrje protestuesve që të shmangin aktet e forcës dhe dhunës, e të mos tentojnë për të çarë kordonin duke u përleshur me efektivët. /Telegrafi/