Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se si Turqi kanë treguar përpjekje serioze deri më sot për të pakësuar tensionet SHBA-Iran.
Erdogan, këtë vlerësim e bëri në transmetimin e drejtpërdrejtë të përbashkët të kanaleve turke televizive, CNNTÜRK dhe Kanal D, gjithashtu duke komentuar edhe për zhvillimet tjera në rajon dhe më gjerë, shkruan Anadoly Agency.
“Si Turqi, kemi treguar përpjekje serioze deri më sot për të pakësuar tensionet SHBA-Iran”, tha ai.
Duke folur për vrasjen e komandantit të Forcave Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, Qasem Soleimani, presidenti turk ka thënë: “Jemi duke ndjekur me shqetësim rreziqet e afërta që ka krijuar vrasja e Soleimanit në aspektin e paqes dhe stabilitetit të rajonit tonë”.
“Turqia gjithmonë ka qëndruar kundër ndërhyrjeve të jashtme në rajon dhe këtë sulm e vlerësojmë në këtë drejtim”, tha më tutje ai.
Erdogan njoftoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 8 janar do të realizojë një vizitë zyrtare në Turqi.
“Të gjithë çështjet, qoftë ato rajonale apo në lidhje me Rrjedhën Turke do t’i shqyrtojmë gjerësisht”, u shpreh Erdogan.
“Me Putin do të flasim për Idlibin. Shpresoj që në këtë takim, ne ta sigurojmë këtë armëpushim. Mos të bien më bombat mbi civilët”, theksoi presidenti turk.