Telegrafi

Tensionet në kulm, diplomati rus dhe diplomatja amerikane “shkëmbejnë buzëqeshje dhe puthje në faqe” (Video)

Vetëm pak kohë para se presidenti amerikan, Donald Trump të paralajmëronte Rusinë duke ia bërë me dije se duhet të bëhet gati për “raketa të reja, të bukura dhe të mençura” në Siri, ka ndodhur një moment që është komentuar shumë nga mediat e huaja.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për momentin kur i dërguari i Rusisë në OKB shkëmbeu “buzëqeshje, madje edhe puthje në faqe” me të dërguarën e SHBA-ve Nikki Haley.

Siç thuhet më tej, para se Këshilli i Sigurimit të OKB dështoi të martën për të kaluar tri rezoluta të veçanta për një sulm të dyshuar kimik në Ghoutan Lindore, Vassily Nebenzia, ambasador i Rusisë në OKB, iu afrua koleges së tij amerikane i shtrëngoi dorën dhe e puthi një herë në secilën faqe.

Donald Trump e përdori Twitter-n të mërkurën për të paralajmëruar se një sulm raketash në Siri është i afërt, disa orë pasi Kremlini u zotua për të shuar çdo raketë ndaj regjimit të Asadit si hakmarrje për mizoritë e gazit helmues të javës së kaluar në periferi të Doumës.

Trump ndoqi një postim të dytë Twitter, duke pretenduar se raporti i Amerikës me Moskën nuk ka qenë kurrë më i keq.

“Marrëdhënia jonë me Rusinë është më i keqi tani sesa ka qenë ndonjëherë, dhe kjo përfshin Luftën e Ftohtë”, shkroi në Twitter.

Ndërkohë, pas kërcënimit të Trump ka ardhur edhe reagimi nga presidenti rus.

Vladimir Putin ka shprehur shpresën se “mendimi praktik” përfundimisht do të mbizotërojë në botën moderne, e cila është duke u bërë “më kaotike”.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Putin ka thënë se “situata aktuale ndërkombëtare është shumë shqetësuese”.

“Gjendja e çështjeve botërore po sjell vetëm shqetësime, situata në botë po bëhet më kaotike”, citohet të ketë thënë Putin të mërkurën, gjatë një ceremonie të pritjes së ambasadorëve në Rusi. /Telegrafi/