Site icon Telegrafi

Tensionet në Kosovë frikësojnë konzorciumin francez

Konzorciumi francez që kishte nënshkruar kontratën për investime deri në 410 milionë euro në Brezovicë, nuk është e sigurt se dëshiron ta vazhdojë investimin.
Burime brenda kompanisë bëjnë të ditur për Telegrafin, se situata politike në vend ka ngritur shumë pikëpyetje te bordi i konzorciumit dhe se po shqyrtohet edhe mundësia për shkëputjen e kontratës, duke pranuar kështu të humbin edhe kapitalin garantues disa milionë euro.

“Ne jemi vetëm kontraktues, por na është thënë se po shqyrtohet mundësia edhe për shkëputjen e kontratës. Me sa e dimë për shkak të pasigurisë së madhe dhe situatës politike”, thotë ky burim për Telegrafi.com.

Investimi i konzorciumit francez në qendrën e turizmit dimëror planifikonte të krijonte rreth 4 mijë vende të reja të punës. Në fazën e parë, do të ndërtoheshin mbi 35 kilometra pista të skijimit dhe 7 skiliftë.

Sipas planit të investimit, nga 165 milionë ishin paraparë të investohen në tri vitet e para. Gjithashtu, implementimi me sukses i këtij projekti, vlerësohej se do të dërgonte një sinjal shumë pozitiv edhe për investitorët tjerë potencialë të vegjël e të mëdhenj që e konsiderojnë Kosovën si opsion për të investuar. /Telegrafi/

Exit mobile version