Dje në fshatin Çikatovë të Vjetër të Drenasit derisa kontraktorët e “NewCo Ferronikel” kanë filluar punimet ka pasur disa tensione me banorët lokal.
Situata ishte qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së forcave policore.
Derisa banorët kanë pretenduar se “NewCo Ferronikel” po gërmon në pronat e tyre, kompania ka dal sot me një njoftim duke treguar versionin e saj të ngajrjes.
“NewCo Ferronikeli” thotë se ka pasur dhunë verbale ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të kompanisë gjatë punimeve në një parcelë, që sipas tyre kanë lejen nga institucionet Republikës së Kosovës.
“Në asnjë moment nga ana e punëtorëve apo e kontraktorëve të “NewCo Ferronikeli”-t nuk ka pasur provokime, kërcënime apo ushtrim dhune”, njofton kompania.
“Sikurse disa herë më parë, punëtorët e kompanisë, u penguan, fyen, kërcënuan dhe kanosën në prezencë të zyrtarëve policorë, gjatë përpjekjeve për të punuar. Ky bllokim i përsëritur po shqetëson dhe po krijon vonesa në rifillimin e punës në fabrikën e “NewCo Ferronikeli”-t ndërkohë që organet e zbatimit të ligjit veprojnë në mënyrë jo-proporcionale përballë situatës së qartë, duke mos garantuar të drejtën në pronë dhe sigurinë e punëtorëve”, shtoi tutje kompania.
“NewCo Ferronikel” thotë se parcelat ku punëtorët dhe kontraktorët e duhet të punojnë janë në pronësi të kompanisë duke qenë në listën e aseteve të kompanisë që para privatizimit të saj.
Kompania thotë se rezervat minerare në këto parcela janë të një rëndësie vitale për operimin e fabrikës dhe kthimin në punë të saj.
“Siç kemi kërkuar vazhdimisht, kërkojmë edhe një herë nga institucionet e Republikës së Kosovës që të krijojnë kushtet e nevojshme që puna e kompanisë në pronën e saj të vazhdojë e papenguar. Deri tani, kemi kërkuar disa herë nga organet që të zbatohet ligjshmëria e së drejtës sonë. Ajo që kemi kërkuar është që shteti të sigurojë të drejtën ligjore dhe të garantojë sigurinë fizike dhe punën e punëtorëve të “NewCo Ferronikeli” apo kontraktorëve. Kemi kërkuar nga organet e sigurisë të shtetit të Kosovës, që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje shqetësuese, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë”.
“Gatishmëria e shtetit për të garantuar operimin e papenguar të një investitori të madh, siç është “NewCo Ferronikeli”, jep mesazhin e mirë te të gjithë investitorët e jashtëm që mund të jenë invesitorë potencialë në Kosovë. Braktisja nga mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë, çon një mesazh të keq dhe të dëmshëm për shtetin, por edhe për ekonominë e vendit”, ka njoftuat tutje kompania./Telegrafi/