Site icon Telegrafi

Tensione pas ndeshjes Trepça-Vëllaznimi: Beciragiq përplaset me lojtarin e tij Mikaile Tmusic

Ani pse ishin duke humbur me një epërsi prej 14 pikësh, Trepça në fund ia doli që të triumfojë ndaj Vëllaznimit me rezultat 63:59 në kuadër të javës së 24-të të ProCredit Superligës. 

Ndonëse ndeshjen më mirë e kishin nisur mysafirët të cilët patën epërsinë qysh nga fillimi, rikthimi i Trepçës ndodhi në pjesën e dytë. 

Vendasit në periodën e tretë ishin për një nuancë më të mirë duke fituar me rezultat 20:14, para se të fitonin edhe në dhjetë minutat e fundit për të siguruar fitoren me rezultat 63:59. 

Sidoqoftë, përtej rezultatit dhe luftës mes dy ekipeve në parket, ishte diçka tjetër që mori vëmendjen. 

Trajneri i Trepçës, Adis Beciragiq, u përfshi në një përleshje me lojtarin e tij Mikaile Tmusic. 

Për të mos eskaluar situata mes të dyve u desh intervenimi i lojtarëve të tjerë të Trepçës në një skenë e cila nuk u pëlqeu aspak tifozëve të pranishëm në palestrën ‘Minatori’. 

Kujtojmë se pas 24 ndeshjeve, Trepça ka 16 fitore e tetë humbje, derisa Vëllaznimi numëron 11 fitore dhe 13 humbje./Telegrafi/

Exit mobile version