Site icon Telegrafi

Tensione para bashkisë së Tiranës, Policia e Shtetit reagon: Asnjë polic nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri

Policia e Shtetit përmes një reagimi publik ka mohuar disa lajme që policët kanë nxjerrë armët para tubueseve që janë mbledhur para bashkisë së Tiranës.

Në njoftim thuhet se, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë, transmeton Telegrafi.

“Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit. Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni”, thuhet në reagim.

Tutje, sqarohet se bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.

“Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit. Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private”, vijon reagimi.

Më tej, theksohet se Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.

Ndryshe, situata vazhdon të jetë e tensionuar edhe në hyrje të Kuvendit ku deputetët e përjashtuar të opozitës përplasen e punonjësit e Gardës në përpjekje për të hyrë brenda. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version