Telegrafi

Tensione në debatin për Ligjin për mësimdhënësit në Maqedoni

Përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës maqedonase penguan përsëri debatin mbi Ligjin për mësimdhënësit, në Komisionin për Arsim në Kuvend.

Tensionet në një moment u përshkallëzuan dhe për pak u shmang përplasja fizike.

OBRM-PDUKM-ja opozitare akuzoi pushtetin se shmang procedurat parlamentare të përcaktuara me rregullore dhe dëshiron me forcë të shtyjë miratimin e ligjit. Seanca ishte vazhdim i debatit të mbetur në gjysmë një vit më parë po në të njëjtin komison.

“Në listë ka edhe shumë kolegë të cilët nuk kanë pasur të drejtën e fjalimit procedural. Çfarë bëri sot kryetarja e komisionit, filloi me rendin e ditës ndërsa i njëjti rend dite në komision nuk është miratuar. Vetëm për njoftim, fjalimet tona procedurale akoma kanë të bëjnë me konkluzionet të debatit publik që vitin e kaluar u mbajt këtu në Kuvend e që kishte të bëjë me Konceptin e ri për Arsim”, tha Bllagica Lasoska nga OBRM-PDUKM.

Zhaklina Llazarevska, kryetare e Komisionit për Arsim tha se në seancën e 17 qershorit të vitit 2021 me tetë vota “pro” u votua rendi i ditës dhe prandaj Komisioni duhet të vazhdojë të punojë dhe të debatojë për pagat e mësimdhënësve. LSDM-ja akuzon opozitën se qëllimisht pengon rritjen e pagave të mësimdhënësve.

“Bllokada e ligjit për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional në arsimin fillor dhe të mesëm sot u kthyen në tentativa për dhunë fizike, kërcënime dhe kaos. Deputetët e OBRM-PDUKM-së as nuk lejojnë që të fillojë debati për këto ndryshime, e jo më miratimin e tyre. Sjellja e sotme e deputetëve nga radhët e OBRM-PDUKM-së është e turpshme, e ulët dhe e vrazhdë”, u shpreh Zhaklina LLazarevska, kryetare Komisionit për Arsim.

Pas reagimeve te opozitës pushteti u pajtua që tu jap deputeteve të drejtën e fjalimit procedural ashtu siç kishin kërkuar. Me ndryshimet në Ligjit për mësimdhënës të cilat i propozon pushteti, 27 mijë mësimdhënës parashihet të marrin paga më të larta kurse 4700 mësimdhënës të fitojnë punësim të përhershëm./Alsat/