N’Golo Kante ka qenë njëri nga lojtarët më të kërkuar gjatë afatit kalimtar të verës.
Mesfushori francez u kërkua me ngulm nga Inter, por në garë për të ishte edhe Manchester United e Paris Saint Germain.
Ishte trajneri Frank Lampard që këmbënguli për qëndrimin e tij në Chelsea, por tani ka konflikt mes të dyve.
Rasti më i fundit raportohet nga mediat franceze dhe flet për një krisje të raporteve mes trajnerit anglez dhe mesfushorit N’golo Kantè, i cili ka qenë titullar dhe nga më të mirët në të gjithë ndeshjet që Chelsea ka luajtur për këtë sezon.
Mesfushori francez ka telefonuar trajnerin e tij për t’i kërkuar një ditë lejë më tepër, duke qenë se dëshironte të merrte pjesë në ceremoninë martesore të një miku të ngushtë, por ka marrë një jo të prerë nga Lampard dhe të dy duket se janë grindur jo pak.
Kampioni i botës me Francën i ka kujtuar trajnerit se është futbollist korrekt e model dhe se në një rast të tillë meritonte një trajtim ndryshe, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Kante të qëndrojë edhe pa lejë, duke marrë parasysh që e pret një gjobë kur të kthehet në Londër.
Mesfushori francez është vetëm futbollisti i radhës që përplaset me Lampard, pasi tekniku i londinezëve ka marrëdhënie të tensionuara edhe me portierin Kepa, mbrojtësin spanjoll Marcos Alonso e atë gjerman Rudiger, me këta dy të fundit që tashmë nuk i merr as në stolin rezervë. /Telegrafi/