Teksa orari i protestës së opozitës me bllokim të disa akseve në gjithë vendin po shkon drejt fundit, situata është tensionuar në zonën e Mbikalimit të Kamzës, ku protestuesit e Partisë Demokratike (PD) janë përplasur me forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe protestues të kësaj partie u përplasën me efektivë të policë të cilët në një moment u rreshtuan në rrugën e bllokuar prej tyre.
Në një moment ata janë përplasur fizikisht me efektivët e rreshtuar duke iu kërkuar që të largohen pasi sipas tyre janë duke provokuar protestuesit.
Gjashtë akse kryesore në vend do të jenë të paralizuara për shkak të protestës së opozitës që ka nisur në orën 17:00.
Konkretisht akset rrugore që janë bllokuar janë “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit. /EuronewsAlbania/